April 29, 2024
Shqipëri

​Rama: Dikur më bëtë hero, sot tradhtar – Ballkani i Hapur është interes strategjik i krejt kombit shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka përsëritur edhe një herë se Ballkani i Hapur është një nismë në interes të të gjithë shqiptarëve, duke hedhur poshtë akuzat se ajo i shërben vetëm Serbisë.

Duke iu përgjigjur në Facebook një komentueseje nga Kosova, Rama tha gjatë vizitës së fundit në Beograd, kryeqyteti serb ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe ata që dogjën njërin, u arrestuan nga Policia.

“E vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë”, tha Rama.

“E vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”.