Zjarri në “Parqe e Gjelbërime”-Shkup, për të mbuluar gjurmët e vjedhje e të bëra?
Autori që i vuri zjarrin dy objekteve të Ndërmarrje Publike “ Parqe dhe Gjelbërime” vazhdon të jetë i lirë. Qëndrimi i fundit i ministrisë së Punëve të Brendshme është se rasti po hetohet dhe publiku do të informohet sapo të ketë ndonjë informacion të ri. Drejtori i Ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërime” Suhejr Rexhepi dyshon se persona të caktuar brenda ndërmarrjes e kanë udhëzuar të dyshuarin, pasi bazuar në videon nga kamerat e sigurisë autori e ka ditur saktë cilave objekte duhet t’u vërë flakën.
Dilemat e Rexhepit janë se raporti i revizionit ka shtyrë dikë që të djegë objektin së bashku me provar për shpërdorime të mundshme në vlerë prej 20 mijë eurove. Hetimet mund të marrin kohë, por Rexhepi këmbëngul se rasti nuk do të mbetet pa një epilog.
“Po edhe mundet. Përderisa unë nuk kam argumente, nuk mund ta pohoj ose mohoj një gjë të tillë. Me këtë rast, me këtë ndodhi të fundit le të shpresojmë se do të ketë një hulumtim të drejtë, të paanshëm, të sinqertë dhe në fund ndoshta të vijmë tek ndonjë e vërtet që ndoshta mund të jetë më e hidhur se sa e mendojmë”, tha Zuhejr Rexhepi- drejtor i NP “Parqe dhe Gjelbërime”.
Ministria e Punëve të Brendshme është njoftuar për zjarrin në këtë ndërmarrje rreth 30 minuta pas mesnate. Televizioni Alsat ka siguruar pamjet ku shihet se si një person qëllimisht një natë më parë i vë zjarrin dy objekteve, magazinës dhe arkivit të kësaj ndërmarrje. Në incizimin nga kamerat e sigurisë shihet se si personi, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ndez fillimisht zjarrin në magazinën e ndërmarrje, më pas i vë flakën arkivit dhe largohet qetësisht. Ka qenë ndërhyrja e sigurimit të kësaj ndërmarrje që ka bërë vënë nën kontroll flakët dhe më pas kanë mbërritur edhe zjarrfikësit.