Zjarri në depon e ngjyrave në Falishtë të Tetovës ka shkaktuar ndotje alarmante të ajrit
Ngjyra dhe kemikate të ndryshme janë djegur në zjarrin që përfshiu një depo në fshatin Falishtë të Tetovës. Për shuarjen e zjarrit është kërkuar ndihmë edhe nga njësitet e zjarrfikësve të Shkupit, Kumanovës dhe Velesit. Qendra për Menaxhim me Kriza i ka rekomanduar policisë që të mos lejojë kalimin e njerëzve dhe makinave në rrugën rreth objektit që u përfshi nga flakët, për shkak të rrezikut të shembjes së mureve. Zjarri në deponë e ngjyrave dhe kemikateve të ndryshme ka shkaktuar ndotje alarmante të ajrit.
Autoritetet apeluan banorët që të mos hapin dritaret e shtëpive të tyre dhe të mos dalin jashtë pa nevojë.
“Bëhet fjalë për një sasi të madhe kemikatesh, ndoshta njëqind ton ende saktë nuk dihet sa ka pasur në momentin e zjarrit, por gjithsesi shumë kemikate ka të përfshira nga zjarri dhe janë djegur apo do të digjen. Ekziston rreziku të shembet e gjithë ndërtesa për shkak të temperaturës së larta, por ka rrezik edhe muret e jashtme të bien, andaj kërkuam nga policia të bllokohen dy rrugën e rrethit. Cilësia e ajrit është shumë e keqe. Apeloj edhe banorët që janë disa kilometra nga zjarri të mos hapin dritaret dhe pa nevojë të mos dalin deri në marrjen e informatave”, deklaroi Stojanço Angelloov, drejtor i QMK-së.
“Rekomandimi jonë është se edhe në moment ka ndotje dhe materie ndotëse dhe të rrezikshme, madje edhe në largësi deri në dy kilometra banorët të mos dalin. Të presin të bëhen analiza të ujit ajrit dhe tokës që të shohim çka kemi”, u shpreh Ratko Davitkovski, Instituti i Shëndetit Publik.
Nga zjarri në deponë e ngjyrave në Falishtë, janë lënduar lehtë dy zjarrfikës gjatë tentimit për ta mbrojtur shtëpinë që ndodhet në afërsi të objektit. Sipas Njësitit Zjarrfikës përhapja masive e zjarrit ka ndodhur si pasojë e thirrjes së zjarrfikësve të Tetovës me vonesë. Sipas kryeshefit të Zjarrfikësve, të punësuarit fillimisht për një periudhë kanë tentuar që vet të shuajnë flakët.