Kosovë

Zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës Serbia e sheh si qëllim për t’i sulmuar serbët

Në Kuvendin e Serbisë, prapa dyerve të mbyllura, është mbajtur takimi i “Komitetit për Kosovën dhe Metohinë”, ku është diskutuar mbi situatën e sigurisë në Kosovë.

Sipas transmetuesit publik serb, ky takim është thirrur me rastin e armatimit të mëtejmë të Ushtrisë së Kosovës dhe për rritjen e numrit të ushtarëve të saj.

“Para disa ditësh shqyrtuam informacionin e shërbimeve tona të sigurisë mbi transformimin e strukturave të mbrojtjes civile në ushtri. Plani i Prishtinës është që deri në vitin 2027 ta pajisë ushtrinë, ndërsa deri në vitin 2029 të jetë plotësisht operacionale. Këtë transformim më së shumti e ndihmojnë: SHBA-ja, Gjermania dhe Turqia”, ka thënë kryetari i këtij Komiteti, Milovan Drecun, për RTS-në.

Në të njëjtën kohë, siç ka thënë ai, në Kosovë po ulet numri i pjesëtarëve të KFOR-it, pasi në vitin 2010 kanë qenë rreth 12 mijë ushtarë, kurse sot janë rreth 3 mijë, ndërsa, sipas tij, parashihet që ky numër të ulet deri në 2.500 ushtarë.

“Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka 3.517 pjesëtarë aktivë, ku bëjnë pjesë edhe rreth 10 për qind e pakicave, e fatkeqësisht aty ka edhe serbë. Ajo që është shqetësuese, në vitin 2019 është formuar shtabi qendror dhe katër komanda, që është strukturë e tërë për një ushtri të vërtetë”, deklaroi më tej ai.

Sipas tij, ambicia e vjetër e FSK-së është të formojë njësitin e helikopterëve, i cili momentalisht ekziston vetëm në letër, mirëpo, siç thotë ai, në Turqi kanë pilotë të trajnuar.

“Deri më tani është formuar vetëm struktura komanduese, por disa oficerë janë shkolluar edhe jashtë vendit. Aftësia operacionale e departamenteve të helikopterëve duhet të arrihet në vitin 2023, me siguri me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, duke blerë helikopterë të përdorur”, shpjegoi Drecuni.

Megjithatë, thotë Drecuni, një problem më i madh është synimi për të futur shërbimin ushtarak, i cili do të ishte i detyrueshëm edhe për serbët, si dhe ekzistenca e regjimenteve tokësore që mund të veprojnë në terren.

“Me këto kapacitete, ata mund të sulmojnë serbët duarthatë dhe t’i vënë nën kontroll. Asnjë formacion ushtarak, përveç KFOR-it, nuk duhet të jetë i pranishëm në Kosovë dhe Metohi, kurse ata po i forcojnë njësitë speciale, duke ndërtuar një bazë të re në Gjakovë dhe duke bërë presion në rritje ndaj serbëve për t’u bashkuar me forcat e sigurisë”, i tha Milovan Drecuni transmetuesit publik serb. /Zëri