April 28, 2024
Kosovë

Ngjarjet kryesore në Kosovë gjatë vitit 2021

– Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për “marrëdhënie të plota diplomatike” dhe njëherësh Izraeli e njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Palët u pajtuan që të zhvillojnë takime për të konkretizuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Kuds, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja midis dy shteteve vjen nga Marrëveshja e 4 shtatorit (2020) në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

– Më 11 shkurt Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor dhe dënoi me 12 vjet burgim ish-pjesëtarin e grupeve kriminale serbe, Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës.

– Më 14 shkurt në gjithë territorin e Kosovës u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nga 100 për qind të votave të rregullta të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të votuesve, apo 47.85 për qind.

– Më 29 mars pas mbërritjes së 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca në kuadër të programit COVAX në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bë qytetari i parë që pranoi vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

– Më 4 prill Vjosa Osmani u zgjodh nga deputetët e Kuvendit të Kosovës presidente e Kosovës.

– Më 16 prill ekipi kosovar ka fituar dy medalje në Kampionatin Evropian në xhudo, në Lisbonë të Portugalisë. Xhudistja kosovare Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë duke u bërë kampione evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë, pasi e mposhti në finale ukrainasen Daria Bilodid, ndërsa Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë duke e mposhtur gjeorgjianen Eteri Liparteliani.

– Më 21 maj kabineti qeveritar i Kosovës miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve. Marrëveshja parasheh mundësinë që qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës të hyjnë në territoret e njëra-tjetrës për herë të parë me letërnjoftime biometrike për një periudhë të caktuar.

– Më 11 qershor dhjetëra studentë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” protestuan lidhur me liturgjinë e mbajtur nga klerikë të Kishës Ortodokse Serbe në objektin e papërfunduar të kishës, e cila ndodhet në oborrin e kampusit universitar në Prishtinë. Rituali i tyre u mbajt pa njoftimin e institucioneve të Kosovës në kishën e cila është paditur nga Universiteti i Prishtinës, i cili pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë e kampusit të universitetit.

– Më 24 qershor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Pallatin Elysée në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në takim u diskutua bashkëpunimi bilateral, përfshirë potenciali ekonomik dhe hapësira për kompanitë franceze për investime në Kosovë, me theks përfshirjen e mërgatës kosovare, por gjithashtu edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe përparësitë e një qasje konstruktive nga të dyja palët.

– Më 1 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim në Prishtinë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin diskutuan për rolin e aleancës në Kosovë dhe bashkëpunimin për sigurinë në vend. Kurti ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Stoltenberg u takua gjatë vizitës së tij edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe vizitoi bazën e KFOR-it në Prishtinë.

– Më 7 korrik deputetët e Kuvendit të Kosovës me iniciativë të deputetëve të komunitetit boshnjak kanë miratuar rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi i Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë i vitit 1995. Rezoluta u miratua me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa të gjithë shefat e grupeve parlamentare, përpos nga partia Lista Serbe, i dhanë mbështetje rezolutës.

– Më 13 korrik Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës së saj, pasi rreth 1.500 qytetarë atje kërkuan ndihmë mjekësore pasi dyshohej se u helmuan nga uji.

– Më 18 korrik në pikën Restelicë-Strazimir u hap vendkalimi i ri kufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

– Më 24 korrik xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në xhudo duke mundur në finale japonezen Funa Tonaki. Distria Krasniqi u shpall fituese në kategorinë deri në 48 kilogramë.

– Më 25 korrik dhjetë qytetarë të Kosovës humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Sllavonski Brod të Kroacisë, pasi autobusi ishte nisur nga Gjermania drejt Kosovës. Të nesërmen presidentja Vjosa Osmani shpalli ditë zie në Kosovë.

– Më 20 shtator Kosova filloi reciprocitetin për targat e automjeteve me Serbinë, respektivisht autoritetet njoftuan se nga 15 shtatori targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës janë ato me denominimin ‘RKS’. Kjo gjë zgjoi reagime tek serbët të cilët jetojnë në komunat veriore të vendit duke protestuar me bllokim të rrugëve që çonin në dy pika kufitare me Serbinë me automjete të rënda.

– Më 27 shtator kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë. Duke folur rreth tensioneve të krijuara në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit me targa, kryeministri Rama tha se drejtësia qëndron në anën e Kosovës.

– Më 30 shtator nga Kizhevaku i Serbisë u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë personave të zhdukur në luftë dhe pjesë të dy personave të tjerë të zhdukur që nga Masakra e Rezallës në Komunën e Skenderajt gjatë luftës së vitit 1999.

– Më 5 tetor Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor Goran Stanishiqin duke e dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.

– Më 17 tetor u mbajtën zgjedhjet e rregullta lokale ku kryetarët e 17 komunave fituan garën, ndërsa 21 komuna të tjera ri-garuan më 14 nëntor në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

– Më 27 tetor qeveria e Kosovës miratoi propozim vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për zbatimin e sanksioneve konform rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe kompanisë “AIDar Properties” të lidhur me organizatën terroriste “Hezbollah”.

– Më 26 nëntor një shofer autobusi dhe dy nxënës të shkollës së mesme humbën jetën dhe një tjetër u plagos në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit si pasojë e të shtënave në drejtim të tyre derisa ndodheshin në autobus.

– Më 6 dhjetor kampionia e artë olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, mbylli zyrtarisht karrierën e saj si sportiste aktive për të vazhduar me si trajnere në krah të trajnerit të saj, Driton Kuka.

– Më 17 dhjetor Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2022 prej 2 miliardë e 748 milionë eurove.

– Më 20 dhjetor Kosova nënshkroi marrëveshje për t’ia dhënë “me qira” Danimarkës Qendrën e Paraburgimit në Gjilan e cila ka kapacitet për 300 të burgosur, marrëveshje e cila pritet të zbatohet nga viti 2023 dhe do të zgjasë për 10 vite, ndërsa Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro.