Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, Siljanovska mbajti tubim në Manastir

Kthimi i të rinjve në Maqedoni duke i joshur me një të ardhme premtuese, është njëri nga synimet e kandidates për presidente nga radhët e VMRO – DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova. Ajo në tubimin e mbajtur në Manastir, tha se duhet luftuar për të rinjtë, pasi vetëm me breza të arsimuar, Maqedonia mund të jetë krenare. Siljanovska para banorëve të Manastirit u zotua se do të angazhohet për të gjithë qytetarët njësoj, duke vënë fokusin në rihapjen e zyrave presidenciale nëpër vendbanime të ndryshme.
“Unë do ta kthej zyrën e popullit në Manastir dhe nuk do ta lë të zbrazët, por unë do të vij në këtë zyrë. Gjithashtu do të hap edhe zyra të tjera nëpër Maqedoni, s’do të rri në pyll, por do të zbres poshtë. Shpesh them se ju jeni inspirimi ynë, por për fat të keq, ky shtet thellë është zhytur në diçka që quhet etnokraci dhe jo demokraci. Unë do të doja të jetoj me qytetarë të barabartë dhe të njëjtë.”, – deklaroi kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente, Gordana Siljanovska Davkova.
Siljanovska vizitoi edhe banorët e Demir Hisarit dhe Novacit, ndërkaq po vazhdon karvanin zgjedhor me Tearcë, Bërvenicë, Gjorçe Petrov dhe Kumanovë./TVM2