Zgjedhjet presidenciale 2024, Taravari: Theksi, në ndryshimet kushtetuese
Kandidati për president nga koalicioni “Vlen”, Arben Taravari, thekson se prioritetet e tij si president i ardhshëm i vendit do të jenë ndryshimet kushtetuese, që do të sjellin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Kjo, sipas Taravarit, është një çështje e domosdoshme për të gjithë qytetarët e RMV-së.
“Theks i veçantë në programin tonë në zgjedhjet presidenciale janë ndryshimet kushtetuese pa ndryshim. Kjo shumë e rëndësishme për vazhdimin e negociatave apo fillimin e negociatave me BE-në. Për ne, padyshim se rruga evropiane e Maqedonisë është pjesa më e rëndësishme e periudhës së ardhshme për shtetin dhe tërë fushatën jemi koncentruar aty edhe pse kemi propozime të tjera, të cilat janë interesante për qytetarët, të cilat janë risi dhe janë shumë kreative dhe atraktive për qytetarin e Republikës së Maqedonisë, por pa dyshim, përsëri po e përsëris se integrimi në BE është prioritet mbi prioritetet.”, – deklaroi kandidati për president “Vlen”, Arben Taravari.
Si president i ardhshëm i RMV-së, Taravari tha se do të kërkojë garanci nga Brukseli se përveç ndryshimeve kushtetuese, nuk do të ketë pengesa të tjera për shtetin tonë në rrugën integruese. Fakti që një numër i madh i të rinjve po ikin në vende evropiane për jetë më të mirë, Taravari vlerëson se varianti më i mirë, për një të ardhme më të shëndoshë dhe kushte më të mira për jetë është që ne, perëndimin ta sjellim këtu, gjegjësisht të jemi pjesë e saj dhe mos të ketë nevojë të ikim nga shteti ynë./TVM2