Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Jakimovski prezanton programin presidencial

Kandidati për president i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski, është i mendimit se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka ardhur koha për ndryshime në pushtetin komunal. Ai premton se nëse me 8 maj merr besimin e qytetarëve, do të angazhohet që të iniciojë ndryshime në ligjin për qeverisje lokale, ligj me të cilin do të shtohen kompetencat e inspektorëve komunal.

“Duke pasur parasysh se vetëqeverisja lokale është më e afërta me qytetarët dhe është shërbimi më i menjëhershëm për qytetarët e çdo pjese të Republikës së Maqedonisë, ne kemi nevojë për ndryshime në vetëqeverisjen lokale dhe në funksionimin e qytetit të Shkupit. Kjo nënkupton ligj të ri për qytetin e Shkupit. Një ligj i ri për vetëqeverisjen lokale që do të rrisë kompetencat e inspektorëve komunalë. Pra, duhet të kemi inspektorë komunalë që do të kenë autoritetin për të legjitimuar dhe ndëshkuar, që do të mund fizikisht të neutralizojnë, sepse me mënyrën aktuale të inspektimit komunal, ku identifikimi duhet të bëhet nga policia, është absolutisht jofunksional.”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski.

Sipas Jakimovskit, me ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale do të ishte mirë të përfshihet edhe shpërndarja e Ndërmarrjeve Publike nëpër Komuna që të sigurojë ndërmarrje publike plotësisht funksionale. Ai po ashtu thotë se me ligj duhet të rregullohet edhe çështja e mosmarrëveshjeve dhe obstruksioneve, që shkaktohen tek Këshillat Komunale, pasi kjo do të mundësonte kushte më të mira për qytetarët.