Zgjedhjet parlamentare, partitë afër finalizimit të listave për deputetë
Subjektet politike janë afër finalizimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj. Edhe pse kanë mbetur gati tri javë deri sa partitë zyrtarisht t’i dorëzojnë listat e tyre zgjedhore në KShZ, në opinion tashmë qarkullojnë informacione jozyrtare për bartësit e listave të partive politike. Fari Hiseni nga koalicioni VLEN thotë se në këtë periudhë ata janë të fokusuar jo te emrat e kandidatëve për deputetë, por te programi i ardhshëm qeveritar.
“Sikur e kemi potencuar, deri tash neve më tepër na lidh programi, na lidhin idetë, na lidh qeverisja e ardhshme në dobi të qytetarëve, se sa emrat se kush do të qëndrojë në listat për deputetë.”, – deklaroi Fari Hiseni nga Koalicioni VLEN.
Gjithsesi jozyrtarisht flitet se në njësinë zgjedhore 1, e cila mbulon kryesisht komunat e Shkupit pritet që beteja te partitë shqiptare të zhvillohet kryesisht mes Blerim Bexhetit nga BDI-ja dhe Izet Mexhitit nga koalicioni VLEN. Ndërsa te blloku maqedonas kokë më kokë do të garojnë lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa garës do t’i bashkëngjiten edhe lideri i së Majtës, Dimitar Apasiev, si dhe kryetarja e Shkupit Danela Arsovska.
Në njësinë zgjedhore 2, BDI-ja është mes Sadulla Durakut dhe Ilir Hasanit. Koalicioni VLEN, bartës pritet ta ketë liderin e Alternativës, Afrim Gashi, i pasuar nga Rijad Shaqiri. VMRO-DPMNE-ja në krye të listës do ta ketë Vllado Misajlovskin, ndërsa LSDM-ja flitet se po analizon mes Sanja Lukarevskës dhe Fatmir Bytyqit.
BDI-ja flitet se do të garojë me kandidat edhe në njësinë zgjedhore 3 dhe 4, ku kryesisht garojnë partitë maqedonase. Jozyrtarisht flitet se bartës liste në njësinë zgjedhore 3 do të jetë Adnan Ismaili, ndërsa në njësinë zgjedhore 4 përflitet emri i Artan Grubit. Në njësinë e tretë te LSDM-ja përmendet emri i Oliver Spasovskit dhe Ljupço Nikollovskit, ndërsa te e 4-ta paralajmërohet rikthimi në politikë i Venko Filipçes. VMRO-ja në këto dy njësi do të garojë me Dragan Kovaçkin dhe Aleksandar Nikollovskin. Në njësinë e 5-të bartës pritet të jetë Ziadin Sela, e i dyti Musa Xhaferi, ndërsa nga koalicioni VLEN, kandidat nga partia e Arben Taravarit.
Në njësinë zgjedhore 6 në të cilën forcat i matin liderët e bllokut politik shqiptar, do të garojnë Ali Ahmeti, menjëherë pas tij do të jetë kryeministri teknik, Talat Xhaferi dhe Bilall Kasami nga koalicioni VLEN. Ndërsa LSDM-ja bartëse pritet ta ketë ministren e Mbrojtjes, Slavjana Petrovska, ndërsa VMRO-DPMNE-ja bartëse liste do ta ketë Dafina Stojanovskën.
Afati për regjistrimin e listave të kandidatëve përfundon më 2 prill, transmeton TVM2.