Zgjedhjet 2024, MPB: Gjendja e sigurisë është stabile
Gjendja e sigurisë në ditën e zgjedhjeve është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi, njoftojnë nga MPB-ja. Ekipet e sigurisë kanë dalë në terren për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm dhe për të vrojtuar situatën. Nga MPB-ja thonë se nuk ka asnjë shqetësim në procesin zgjedhor dhe se nuk është vërejtur ndonjë parregullsi më serioze gjatë procesit.
“Të gjitha departamentet e punëve të brendshme janë të mbuluara nga ana teknike dhe njerëzore. Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas planit dhe veprimit operativ, i cili si i tillë përcaktohet në kuadër të Shtabit Operativ. Gjithçka po shkon ashtu siç duhet.”, – thonë nga MPB.
MPB: Dokumentet personale mund të merren edhe sot
Gjithashtu nga ky institucion njoftojnë qytetarët se dokumentet personale mund të merren edhe sot, në ditën e zgjedhjeve.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se Departamenti i Çështjeve Civile, gjegjësisht të gjithë drejtoritë për çështje administrative të kësaj njësie organizative pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të punojnë për lëshimin e dokumenteve personale më datë 24.04.2024 me orar nga ora 08.00. deri në orën 19.00.”, njofton MPB-ja.
Po ashtu, qytetarët e Shkupit do të mund të marrin letërnjoftimet e tyre në stacionet policore në Shkup. Nga MPB-ja, një ditë më parë njoftuan se qytetarët në këto zgjedhje mund të votojnë edhe me dokumente personale të cilëve u ka skaduar afati prej datës 24 korrik 2023 deri më 24 prill për çfarëdo arsye, sipas ligjit apo afatit të vlefshmërisë. Sipas dispozitës kalimtare të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për zgjedhjet e këtij viti, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, të cilit i ka skaduar vlefshmëria 9-muaj para datës së zgjedhjeve.