Zgjedhjet 2024, Mexhiti: VLEN-i do t’i përfaqësojë shqiptarët në Qeveri
Koalicioni VLEN është i fokusuar në fushatën për zgjedhjet e 8 majit me synimin për të siguruar fitore, deklaroi bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti. Sipas tij, pas zgjedhjeve të 8 Majit, VLEN-i do të jetë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Qeveri.
“Do të ketë edhe shumicë të badenterit, do të sigurohen fondamentet e marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe do të ketë edhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë gabime para ligjeve. Nuk mundet dhe nuk guxohet që shkuarjen e BDI-së në opozitë ta paraqesim si problem për mbijetesën e shtetit, kjo është skajshmërisht e papërgjegjshme dhe qyqare.”, – deklaroi bartësi i listës në njësinë e 1-rë nga VLEN-i, Izet Mexhiti.
Po ashtu Mexhiti si prioritet për VLEN-in dhe qeverinë e ardhshme përmendi orientimin evropian të vendit, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin ligjor.
Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, njëherit edhe bartës i listës në njësinë e 6 zgjedhore, ka bërë të ditur se në programin ekonomik të këtij koalicioni janë përfshirë shumë pika të programit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
“Ajo që është më me rëndësi, që ne nënshkruam një memorandum bashkëpunimi ku bashkërisht angazhohemi që të implementojmë të gjitha politikat e OEMVP-së në drejtim të avancimit të bizneseve që do të jetë një motor i zhvillimit ekonomik.”, – theksoi bartësi i listës në njësinë e 6-të nga VLEN-i, Bilall Kasami.
Koalicioni VLEN si pjesë të programit e ka edhe integrimin kombëtar, ka deklaruar kandidati për deputet, Bekim Qoku.
“Kjo alternativë ndër prioritetet e veta ka edhe integrimin kombëtar. Duhet të kujtojmë se ne jemi 35% shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe është krejtësisht normale që të kemi një bashkëpunim dhe bashkërendim me shtetet që kanë të njëjtin komb, siç është Kosova dhe Shqipëria.”, – u shpreh kandidati për deputet në njësinë e 6-të nga VLEN-i, Bekim Qoku.
Në kuadër të këtij integrimi, siç bëri të ditur Qoku, parashihet krijimi i tre euroregjioneve, që na afrojnë me Shqipërinë dhe Kosovën, euroregjioni i maleve të Sharrit dhe Korabit, euroregjioni i Karadakut dhe euroregjioni i liqeneve./TVM2