Zgjedhjet 2024, kohezioni dhe integrimi, sfidat e qeverisë së re
Zgjedhje të lira dhe demokratike ku sovrani shprehu në mënyrë të lirshme vullnetin e tij për t’u përfaqësuar në ekzekutivë. Ky është konstatimi i përgjithshëm i analistëve politikë, i thënë në studion e hapur në TVM2, kushtuar zgjedhjeve të dyfishta të vitit 2024. VMRO-DPMNE shënoi fitore të bindshme përballë LSDM-së, ndërsa tek blloku shqiptar ”Fronti Evropian” mori numër më të madh të mandateve përballë koalicionit VLEN. Por pavarësisht këtyre rezultateve, formimi i përbërjes së re qeveritare, sipas analistëve Bekim Adili dhe Qani Nuhiu, nuk do të jetë aq i lehtë, pasi që do të duhet të analizohet mirë se cili bllok shqiptar përfaqëson vullnetin e shqiptarëve.
“Situata do të jetë komplekse në vazhdim për krijimin e qeverisë dhe për ecurinë e detyrave që duhet RMV- ja të realizojë nëse me të vërtetë dëshirojmë që të shkojmë drejtë BE-së, që është një nga elementet kyçe të këtij momenti në të cilën ndodhet jo RMV-ja, po rajoni.”, – theksoi analisti, Bekim Adili.
“Nuk ka Qeveri pa shqiptarët kjo fuqi politike, ky argument politik tani duhet të shfrytëzohet, sepse do të futemi në diktaturë afatgjate. Ajo që nuk mund të marrë VMRO-DPMNE-ja, mund t’i marrë kaq vota sa mori, por nuk mund të marrë kapacitetin koalicionues. Ajo merret me koncept, me gatishmëri politike me bashkëpunim me të tjerët dhe gatishmëri për të rrugëtuar.”, – u shpreh analisti, Qani Nuhiu.
Sipas analistëve, Qani Nuhiut dhe Murat Aliut, fitorja e thellë e VMRO-DPMNE-së ishte diçka e pritshme, megjithatë kjo nuk duhet ta shqetësojë faktorin shqiptar, pasi që në duart e dy koalicioneve shqiptare është për t’u unifikuar, vendosur dhe kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja garancia për respektimin e marrëveshjeve të deritanishme të nënshkruara, siç janë Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës, ku një nga kushtet kryesore për hyrje në Qeveri do të jetë që të mbahet kursi euroatlanik i vendit, duke i përfunduar edhe detyrat e brendshme që dalin nga këto marrëveshje.
“Mendoj se këtu, të dy koalicionet fatmirësisht tani flasim për koalicione edhe Fronti edhe VLEN-i do t’i qasen shumë seriozisht kësaj pune, si ta ndalin hovin e këtij popullizmi të shfrenuar, nëse nuk është i tepruar, por megjithatë e ndaj këtë përshtypje si një popullizëm i shfrenuar për momentin.”, – theksoi politologu, Qani Nuhiu.
“Tani kam përshtypjen që do të jetë detyra e shqiptarëve, këtu nuk bëj dallim mes VLEN-it apo “Frontit Evropian” të arrijnë të frenojnë këtë kohë të cilën kanë marrë VMRO-në, duke u bazuar në fushatë, por do ta shohim edhe në Qeveri, por dita duket nga mëngjesi. Sidoqoftë uroj që të kemi një proces të qetë post zgjedhor, të themi derisa të konsidolohen institucionet, qoftë presidenti dhe Qeveria.”, – deklaroi profesori universitar, Murat Aliu.
“Duhet legjitimiteti dhe legaliteti ynë politik të ketë një lloj unifikimi të elitës politike shqiptare visa vi para se të kemi një lloj përcaktimi për një qeverisje të re.”, – theksoi analisti, Ariton Rama.
Për analistët nuk kanë dyshim se hapërimi i vendit drejt familjes së madhe evropiane është i mundur fillimisht përmes ndryshimeve të nevojshme kushtetuese në të cilën duhet të përfshihen bullgarët. Dilemë të madhe për analistët Zudi Xhelili dhe Bekim Adili është nëse VMRO-DPMNE-ja është apo jo e gatshme për ta bërë këtë.
“Nuk kanë ata fuqi që t’i kundërvihet anëtarësimit në unionin evropian, realisht nuk kanë as aleatë tjerë. Ne nuk kemi informata se ata janë pro rus, nuk kemi informata se ata veprojnë si pro rus.”, – u shpreh analisti, Zudi Xhelili.
“Ata kanë vepruar si pro rus përderisa nuk kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ka një marrëveshje interne me faktorin ndërkombëtar, që brenda 6 muajsh të ketë hapjen e Kushtetutës dhe të realizohet marrëveshjen e fqinjësisë me Bullgarinë për t’u hapur negociatat me BE-në, ju a i besoni kësaj se do të implementohet se do të ketë këtë vullnet me këtë lloj retorike dhe veprimesh që kishte VMRO-ja?”, – deklaroi analisti, Bekim Adili.
“Patjetër, kur është në pyetje ShBA-ja dhe faktori ndërkombëtar, po.”, – theksoi analisti, Bekim Adili.
Në bazë të rezultateve dhe mandateve të fituara në këto zgjedhje, para analistëve shqiptar hapet e dilema se cili do të jetë lideri i opozitës shqiptare apo lideri i koalicionit të ardhshëm qeveritare shqiptar, pasi që sipas tyre, tek të dyja blloqet ka kryetar të shumë partive të rreshtuara në këto dy blloqe./TVM2