May 4, 2024
Rajon - Botë

Zelensky “i sigurtë” që Putini nuk është më në Moskë

Derisa ngjarjet dramatike vazhdojnë në Rusi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është “i sigurtë” se presidenti rus Vladimir Putin nuk është më në Moskë.

Duke ndarë fjalimin e tij të natës në Telegram, presidenti ukrainas tha se “sot është një ditë kur patjetër nuk duhet të ketë heshtje” dhe “duhet patjetër lidership”, transmeton Telegrafi.

“Sot bota pa që mjeshtërit e Rusisë nuk kontrollojnë asgjë. Asgjë. Thjesht kaos i plotë”, shkroi ai.

Ai u zotua se trupat e tij “do të jenë patjetër në gjendje të mbrojnë Evropën nga çdo forcë ruse”, duke shtuar se siguria e krahut lindor “varet” nga mbrojtja e Ukrainës.

“Njeriu nga Kremlini është padyshim shumë i frikësuar dhe ndoshta fshihet diku, duke mos u shfaqur. Jam i sigurt se ai nuk është më në Moskë”, vazhdoi ai.

“Ai e di se nga çfarë ka frikë, sepse ai vetë e krijoi këtë kërcënim. Të gjitha të këqijat, të gjitha humbjet, të gjitha urrejtjet – ai i përhapi vetë ato”.