May 12, 2024
Maqedoni

Zbulohet një tunel për ikje nga burgu i Idrizovës, ishte punuar 5-6 muaj në të

Policia e burgut në burgun e Idrizovës sot herët në mëngjes ka realizuar një aksion të madh për të penguar tentativat e mundshme për arratisje të personave të dënuar. Në aksion u përfshinë edhe makineritë e ndërtimit.

Jozyrtarisht në këtë aksion është zbuluar një tunel i hapur me gjatësi rreth 60 metra, shkruajnë mediumet maqedonase.

Sipas tyre, kishin mbetur edhe pak metra për të arritur jashtë mureve të burgut. Sipas informacioneve fillestare jozyrtare, tuneli ishte projektuar mirë dhe në të kishte trarë mbështetës. Ndriçimi u zgjidh me një kabllo vazhduese me llamba, transmeton Lideri.mk

Sipas informacioneve, tuneli është hapur të paktën 4 deri në 5 muaj rresht.
Një muaj më parë drejtori i burgut Shpend Tahiri ndryshoi të gjithë udhëheqësinë e policisë së burgjeve dhe emëroi njerëz me përvojë në sistemin e burgjeve.