May 6, 2024
Maqedoni

Zaev: Tsipras, vëlla deri në vdekje! Ish-kryeministri maqedonas komenton Marrëveshjen e Prespës

Pesë vjet pas Marrëveshjes së Prespës, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e quajti “vëlla” njeriun me të cilin firmosi ndryshimin e emrit, duke çuar drejt një paqeje vendin e tij me Greqinë.

“Së bashku me kryeministrin e atëhershëm, zotin Tsipras, hodhëm një hap dhe hapëm rrugën për një perspektivë të re dhe një të ardhme më të mirë për vendet tona. Pesë vjet më parë, guximi dhe vizioni i qeverive të Athinës dhe Shkupit në atë kohë i dhanë fund mosmarrëveshjes së hidhur të vazhdueshme, duke sjellë një epokë të re bashkëpunimi dhe stabiliteti rajonal. Me Marrëveshjen e Prespës bëmë të pamundurën. Ne kemi treguar se diplomacia mund t’i kapërcejë konfliktet dhe ndarjet, kemi vënë të mirën më të madhe dhe të përbashkët mbi interesat tona. Sot, Maqedonia e Veriut është një anëtare krenare dhe e denjë e NATO-s, aleate me Greqinë. Ne ndajmë vizione të përbashkëta për sigurinë dhe paqen në botë me aleancën më të madhe të sigurisë. Marrëveshja e Prespës e afroi edhe Maqedoninë e Veriut më pranë Bashkimit Evropian. Falë mbështetjes së madhe të Greqisë dhe me partnerë e mbështetës të tjerë, ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për qytetarët tanë dhe brezat që do të vijnë”, tha Zaev, duke kaluar në një plan më të ngushtë.

“Ju e dini që Alexis është vëllai im. Dhe ne do të jemi vëllezër deri në fund të jetës, sepse së bashku patëm guximin e mjaftueshëm për t’i hequr barrierat midis vendeve tona dhe për të ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vërtet ne kemi një mentalitet të ngjashëm, tradita të ngjashme, shumica e qytetarëve tanë janë ortodoksë, sigurisht që ne jemi një vend më i larmishëm, kemi minoritete të tjera në vendin tonë, por jemi këtu në Ballkan. Ai është shumë progresiv, ka një karakter shumë pozitiv dhe beson në një të ardhme më të mirë për qytetarët grekë dhe për BE-në dhe gjithë Ballkanin”, ishin fjalët e Zaevit për Tsiprasin.