Zaev: Shumica e tanishme parlamentare vetëm do të rritet
Ata që shpallin shumicën e re parlamentare pas raundit të dytë të zgjedhjeve duhet të thonë edhe nëse janë për Marrëveshjen e Prespës apo për Marrëveshjen me Bullgarinë, BE-në dhe NATO-n, sepse ato janë baza e koalicionit në Parlament. Shumica e tanishme parlamentare vetëm mund të rritet, jo të ndryshohet, tha kryeministri Zoran Zaev.
I pyetur në një konferencë për media në Qeveri nëse sheh kërcënim për stabilitetin e shumicës parlamentare, pasi Alternativa hodhi poshtë mundësinë e anëtarësimit në mazhorancën qeveritare dhe BESA mori mbështetje nga Aleanca për Shqiptarët për kandidatët në Tetovë dhe Zhelinë, Zaev tha se është “e drejtë legjitime”.
“Absolutisht jo. Zgjedhjet lokale janë, është legjitime që partitë politike të bëjnë partneritete, koalicione dhe marrëveshje për pjesëmarrje në raundin e dytë të zgjedhjeve me synimin përfundimtar që të kenë sukses me kandidatët e tyre, duke filluar nga LSDM, OBRM-PDUKM, BDI, Aleanca, BESA, Alternativa dhe të gjitha subjektet tjera politike pjesëmarrëse në raundin e dytë”, tha Zaev.
Ai përsëriti se koalicionet dhe shumica kanë një arsye të natyrshme për krijimin, mbijetesën apo shpërbërjen e tyre, si dhe krijimin e një shumice të re.
“Të gjithë ata që paralajmërojnë zhvillime të tilla pas raundit të dytë të zgjedhjeve duhet të thonë se do të jenë për Marrëveshjen e Prespës ose Marrëveshjen me Bullgarinë, për një shoqëri për të gjithë, për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve ose do të jenë kundër. Në thelb, ata do të jenë për BE-në dhe integrimin përmes dialogut miqësor dhe diplomacisë, ose do të jenë për klinikën. Koalicionet dhe shumica parlamentare bazohen në këtë. Unë pretendoj se shumica parlamentare do të rritet dhe nëse lexoni saktësisht se çfarë tha Alternativa, pas raundit të dytë të zgjedhjeve të hënën do të shpallet shumica e re qeveritare, prandaj pyetini se për cilën shumicë qeveritare po mendojnë”, tha Zaev.