Zaev: Pres të gjendet mënyrë për debllokim të zgjerimit të BE-së
Kryeministri Zoran Zaev sot mori pjesë në Forumin Evropian Alpbach që sivjet është e përkushtuar në tre tema: “Sigurimi i të ardhmes Evropiane”, “Financimi i të ardhmes Evropiane”, dhe “Ndryshimet klimatike”.
Përmes lidhjes me internet, kryeministri Zaev mori pjesë në panelin “Perspektivat e Maqedonisë së Veriut” bashkërisht me përfaqësuesin e posaçëm të Be-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për Ballkanin Perëndimor, dhe në fjalimin e tij theksoi se anëtarësimi i vendit në BE është perspektivë dhe pa alternativë edhe pse ka dëshpërim nga bllokada bullgare.
“Jemi të përkushtuar plotësisht në këtë proces për shkak se udhëhiqemi sipas vlerave evropiane që janë edhe vlera tona dhe me politika zbatojmë dhe realizojmë evropianizimin dhe ky është motivi kryesor dhe më i fuqishëm. Qëllimi i Maqedonisë së Veriut nuk është anëtarësimi për shkak të anëtarësimit, por për shkak të arritjes së standardeve dhe zbatimit të këtyre standardeve në të gjitha sferat e shoqërisë”, theksoi Zaev.
Zaev shtoi se vendi është në rrugë të duhur dhe i përmbushi të gjitha kriteret, ndërsa kjo u vërtetua me vendimin dhe rekomandimet e Komisionit Evropian në Këshillin Evropian më 20 mars 2020 dhe u mbështet nga të gjitha vendet e BE-së në mënyrë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare dhe më pas pasoi bllokimi bullgari.
“BE ka obligim moral ndaj Maqedonisë së Veriut. Të gjitha reformat në vend janë zbatuar ose po vijojnë, me fqinjët i zgjidhëm problemet që ishin të hapura disa dekada, siç ishte Marrëveshja me Greqinë ose Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Maqedonia e Veriut është model i suksesshëm i funksionimit të bashkësisë multi etnike dhe lidere në bashkëpunim rajonal, ndërsa me anëtarësimin në NATO jemi faktor i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Zaev.
Sipas tij, të gjitha vendet anëtare janë të mendimit se Maqedonia e Veriut i përmbushi kushtet dhe se BE duhet të zbatojë vendimin e vet për nisje të bisedimeve.