May 2, 2024
Maqedoni

Zaev për gazetën “Kathimerini”: Para Prespës ishim më afër me Turqinë, tani jemi me Greqinë

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, deklaroi se populli i pa përfitimet e Marrëveshjes së Prespës, e cila zgjidhi kontestin 30-vjeçar për emrin në vitin 2018, shkruan Inbox7.

“Normalisht, vendet tona kanë pasur një lloj bashkëpunimi ekonomik edhe para marrëveshjes. Por tani, pas marrëveshjes së Prespës, gjithçka është e hapur. Në Maqedoninë e Veriut ka pasur shumë investime nga Greqia, veçanërisht në energji, ndërsa gjatë periudhës së koronavirusit Greqia na ka ndihmuar duke na ofruar vaksina. Tani ne po ndërtojmë një treg të përbashkët energjetik dhe po përpiqemi të jemi më rezistentë dhe më të përgatitur për krizat e ardhshme energjetike”, ka deklaruar Zaev, transmeton Lideri.mk.

Pas marrëveshjes së Prespës, Zaev vlerësoi se qytetarët e shohin veten më afër me Greqinë, se sa me Turqinë.

“Kemi qenë shumë afër Turqisë dhe jemi akoma, sepse ka të bëjë me qytetarë të komunitetit turk. Por pas Prespës, duke qenë se Greqia është fqinji ynë i parë dhe Turqia nuk është fqinji ynë, u bë shumë e dukshme që Greqia është një nga miqtë tanë më besnikë dhe këtë e shohim në sondazhe. Tani sondazhet e tregojnë Greqinë si një nga pesë miqtë më të mirë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa para Prespës ishte një nga tre armiqtë tanë më të mëdhenj politik”, ka thënë Zaev.
Ai ka shtuar se shpeshherë qëndron në Greqi dhe takon shumë njerëz, sepse fëmijët e tij mësojnë në Selanik. (Lideri)