Shkup, 12 gusht – Bujqësia dhe prodhimi i ushqimit janë një shans për sukses, ndërsa pandemia me KOVID -19 e theksoi edhe më shumë nevojën që popullatës t’i sigurohet ushqim i shëndetshëm, i sigurt, cilësor dhe i larmishëm. Për këtë qëllim, kjo Qeveri e ka miratuar masën për mbështetje deri në 20,000 euro mjete të pakthyeshme për nxitjen e prodhimit bujqësor të fermerëve të rinj. Mundësia është e hapur, që sa më shumë të rinj të përfshihen në të gjithë procesin e bujqësisë, të sigurojnë kushte të mira për të ardhmen e tyre dhe të qëndrojnë, ta ndërtojnë këtu, në shtëpi, shkroi kryeministri Zoran Zaev në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk me rastin e Ditës Ndërkombëtare e Rinisë nën moton “Transformimi i Sistemeve të Ushqimit: Inovacioni i të Rinjve për Shëndetin Njerëzor dhe Planetar”.
Sipas Zaevit, është jashtëzakonisht e rëndësishme të adresohen sfidat e tjera kryesore që janë pjesë e # Axhendës2030 të Kombeve të Bashkuara, të tilla si: zvogëlimi i papunësisë së të rinjve, përfshirja sociale, kujdesi shëndetësor, ruajtja e biodiversitetit dhe zbutja e ndryshimeve klimatike.
Në postimin, Zaev nuk harroi t’i përmend edhe mjekët e rinj të cilëve me këtë rast u jep mirënjohje publike dhe falënderime.
“Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që e zhvilloi “Garancinë për të rinj”, e cila ka dhënë sukses të konsiderueshëm sa i përket aktivitetit të të rinjve në tregun e punës në vendin tonë. Së bashku me politikat e tjera gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara të të rinjve, siç është Plani operativ për punësim, shkalla e papunësisë së të rinjve nga 41.9 për qind në 2016 ra në 29.6 për qind në vitin 2020. Ne e pamë nevojën për përfshirjen e të rinjve në procese të rëndësishme shoqërore. Prandaj, sot, përmes Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, në të gjitha organet e administratës shtetërore dhe në njësitë e vetëqeverisjes vendore është emëruar një zyrtar për të rinjtë , i cili do t’i ndihmojë të rinjtë në çështjet që u interesojnë në fushën e institucionit specifik (https: / /vlada.mk/sluzbenik-za-mladi)”, thekson Zaev.