May 15, 2024
Maqedoni

Zaev i del në mbrojtje Angjushevit pas futjes në Listën e Zezë amerikane

Ish kryeministri Zoran Zaev i ka dalë në mbrojtje Koço Angjushevit, biznesmen i cili në kohën e Zaevit isht zv/kryeministër për çështje ekonomike, e që para ca kohe është futur në listën e zezë amerikane.

Siç transmeton portali lideri.mk, Zaev vlerëson se Angjushev ka qenë ndër anëtarët më të përkushtuar të kabinetit të tij.

“ Dua të ndaj publikisht qëndrimin tim, i cili tashmë është i njohur për opinionin, e ai është se Koço Angjushev dhe ekipi i tij kanë qenë një nga njerëzit dhe kabineti më i përkushtuar dhe më i aftë në Qeveri gjatë periudhës kur unë kam qenë kryeministër. Një pjesë e madhe e sukseseve ekonomike të Qeverisë i atribuoheshin drejtpërdrejt Angjushevit. Maqedonia e Veriut rrallë herë ka pasur një zyrtar të tillë të lartë, i cili është edhe profesor, por mbi të gjitha biznesmen i suksesshëm me përvojë të madhe praktike në problemet ekonomike dhe sfidat e shtetit në ekonomi”,thotë ish-kryeministri Zaev.

Zaev thotë se si kryeministër e ka pasur nderin që ka një koleg të tillë që gjithmonë e ka vënë në plan të parë ekonominë dhe shtetin, transmeton Lideri.mk.

Ndërkohë ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar të mërkurën zgjerimin e listës së zezë me persona të tjetër të dyshuar për korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Më 5 dhjetor, Departamenti amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmeni kontrovers, Orce Kamçev.

Duke folur para gazetarëve në Shkup, Ageler tha se vendosja e Angjushevit në listën e zezë u bë pas “provave të shumta” për përfshirjen e tij në korrupsion.

Ajo nuk dha hollësi apo emra të personave që mund të futen në listën e zezë të SHBA-së., por shtoi se Angjushevi nuk do të jetë emri i vetëm në listën e zezë.

“Mund t’ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u përpunuar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte emri i fundit”, tha Ageleri.

Ajo theksoi se për vendosjen e tyre më të shpejtë në listën e zezë duhet kohë pasi “ky është një proces kompleks dhe i mundimshëm që kërkon siguri të plotë se persona të caktuar janë realisht pjesë e aktiviteteve korruptive”.

Hapat e tillë, siç tha Ageler, janë një mënyrë për Uashingtonin për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit.

“Ka një epidemi korrupsioni në këtë vend që ka prekur çdo sektor, çdo organizatë dhe vetëm duke vënë në dukje aktorët e korruptuar mund të fillojmë të ndihmojmë vendin që të merret me ato çështje”, theksoi ajo.

Ambasadorja Ageler njëkohësisht shprehu edhe dëshpërimin e saj nga mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

“Në 32 vjetët e fundit, apo nga shpallja e pavarësisë së vendit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar gati gjysmë miliard dollarë për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, por deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura”, shtoi Ageler.