Maqedoni

Zaev: Evropa është familja jonë dhe presim të na pranojë

Evropa është familja jonë dhe pritet që familja të pranojë Maqedoninë e Veriut, e cila është në zemër të kontinentit, porositi kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në panelin e liderëve në Forumin strategjik të Bledit dedikuar në temën “E ardhmja e Evropës – Zgjerimi”.

“Për ne, BE-ja nuk ka alternativë. Situata e Maqedonisë së Veriut është sikur dikush dëshiron të pranohet nga një familje të cilës i ka takuar gjithmonë, ndërsa Evropa është familja jonë e vetme. Ne do të vazhdojmë të përmbushim angazhimin tonë për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE -së për të cilin nuk ka alternative”, potencoi Zaev.

Ai përkujtoi se Maqedonia e Veriut tani më 16 vjet e gjysmë është vend kandidat dhe vend I cili e nënshkroi Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim në vitin 2001, menjëherë pas Sllovenisë dhe para Kroacisë.

“I kemi zbatuar të gjitha reformat e parashikuara në fazën e pranimit të anëtarësimit në BE, si dhe të gjitha kriteret e përcaktuara në përputhje me procedurat për zgjerimin e Brukselit. Kemi 12 rekomandime dhe një rekomandim përfundimtar nga Komisioni Evropian për Këshillin Evropian që vendi të fillojë negociatat e anëtarësimit duke organizuar konferencën e parë ndërqeveritare. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët tanë dhe kemi kapërcyer çështjet e hapura, të cilat na hapën derën për të qenë anëtarja e 30 -të e NATO -s. Kemi një shoqëri funksionale multietnike që ka marrë të gjithë njohjen dhe është njohur si model dhe shembull për të tjerët, dhe shpresoj që më në fund të fillojmë negociatat për kapitujt e anëtarësimit në BE”, theksoi kryeministri Zaev në panelin e liderëve “E ardhmja e Evropa – Zgjerimi” në Forumin strategjik të Bledit në Slloveni.

Zaev foli edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”, për të cilin tha se është iniciativë kushtuar bashkëpunimit midis vendeve të rajonit për t’i arritur standardet evropiane për jetë cilësore për qytetarët dhe për të ruajtur motivimin për të arritur anëtarësimin në BE.

Fjalim në panelin e liderëve “Ardhmëria e Evropës – Zgjerimi” në Forumin strategjik të Bledit pati presidenti i Sllovenisë Borut Pahor i cili theksoi se këtë vit forumi i dedikohet posaçërisht vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se rajoni është pjesë e Evropës dhe se duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive në zgjerimin e BE-së dhe se shtyrja e zgjerimit do të shkaktojë pasoja serioze.

Presidenti slloven potencoi se zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është vetëm detyrim politik, por edhe moral për Brukselin dhe për shkak të faktit që Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë gjithçka që është e nevojshme, ndërsa BE-ja si këmbim nuk dha asgjë.

Në panel, siç informon pres shërbimi qeveritar, morën pjesë edhe kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, anëtarët e presidencës së Bosnje e Hercegovinës Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, komisioneri i Zgjerimit të BE-së Oliver Varheji, kryeministri i Polonisë Mateush Moravjecki, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti bullgar Rumen Radev dhe Kristian Shmit si përfaqësues special për Bosnje e Hercegovinën. Vlerësim i përbashkët ishte se zgjerimi i BE -së në Ballkanin Perëndimor është një përfitim si për Evropën ashtu edhe për rajonin.