May 6, 2024
Maqedoni

Xhaferi pranon njoftimin për tërheqjen e firmave

Njoftimi për tërheqjen e 17 deputetëve nga nisma për mosbesimin e Qeverisë është pranuar nga kabineti i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi dhe për këtë janë njoftuar edhe mediat. Nga kabineti i kryeparlamentarit kanë dërguar edhe listën me firmat e 17 deputetëve, nga gjithsej 61 që kishin firmosur nismën fillestare. Seanca për çështjen e besimit të Qeverisë do të fillojë nesër në ora 11. Debati dhe votimi duhet të mbyllen po ashtu nesër deri në mesnatë. Për të filluar seanca nevojitet kuorum, kurse dy deputetë të opozitës pritet t’i bashkohen vetëm momentit të votimit, pasi janë me vendim për izolim.

Kryeministri Zoran Zaev një natë më parë, pas mbledhjes së organeve të partisë njoftoi se ka vendosur të shtyj deponimin e dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, për të ruajtur shumicën e cila beson se është e sigurt.

“Dorëheqjet e mia nuk diskutohet dhe as nuk vendoset për to për arsye se kur i paralajmërova mbrëmjen e 31 tetorit konfirmova se mbetem këtu që të ndihmoj të ruhet shumica parlamentare dhe nëse mundet edhe të rritet. Kjo është përgjegjësi ndaj shtetit dhe popullit dhe është e logjikshme. Sinqerisht pres që shumica parlamentare demokratike do të stabilizohet- deklaroi Zoran Zaev.
Por, Zaev nuk kishte këtë qëndrim më 31 tetor. Ai kishte thënë se dorëhiqet dhe se gjatë periudhës që vjen do të ndihmojë në riorganizimin e Qeverisë.

“Mbeten dy vite e gjysmë të shkëlqyera dhe të papërsëritshme për punë dhe suksese ekonomike nga të cilat do të përfitojë i gjithë populli ynë dhe shteti. Do të mbes periudhën deri sa duhet të riorganizohet Qeveri e re me shumicë progresive të cilën e kemi dhe që mund të rritet akoma.”- tha Zoran Zaev, kryeministër.
Nuk dihet deri kur mund të shtyhet konkretizimi i dorëheqjes së Zaevit.