Xhaferi e Shaqiri, vizituan Universitetin e Tetovës
Kryeministri i Qeverisë teknike, Talat Xhaferi dhe Ministri i Arsimit dhe
Shkencës, Jeton Shaqiri, sot e vizituan Universitetin e Tetovës, ku u pritën nga Rektori Prof. Dr.
Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm Adem Beadini,
prorektorët dhe udhëheqësit e disa sektorëve.
Në këtë takim Kryeministri i vendit theksoi se vizita në tempujt e dijes zë vend të veçantë në
agjendën e tij të punës, me theks të veçantë në Universitetin e Tetovës. Ai shprehu konsideratën e tij
për këtë institucion që ndër vite jep kontribut thelbësor në shoqëri dhe nga viti në vit shënon
rezultate evidente.
Ndërkaq Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti,
Kryeministrin e njoftuan me zhvillimet në Universitet, hapat progresivë që ka shënuar ky institucion
i arsimit të lartë në shumë fusha si në arsim, shkencë, por edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar, ku
tashmë ky universitet njihet gjerësisht për kontributin që jep në asociacionet e ndryshme
universitare, por edhe hulumtimet e botuara në revistat e fakulteteve që janë certifikuar nga
platformat më të njohura ndërkombëtare.
Po ashtu në këtë takim u bisedua për projektet e ardhshme infrastrukturore, hapjen e vendeve të reja
të punës, përgatitjen e ofertës universitare në harmoni me kërkesat e tregut të punës, si dhe çështje
të tjera me rendësi për arsimin e lartë.
Pas qëndrimit në Universitetin e Tetovës, z. Talat Xhaferi bashkë me Rektorin e UT-së, Kryetarin e
Senatit dhe bashkëpunëtorët tjerë, e vizituan edhe Konviktin shtetëror në të cilin janë vendosur rreth
300 studentë. Konvikti është ndërtuar me mjete nga buxheti i Qeverisë së RMV-së, por edhe
Universiteti i Tetovës ka alokuar mjete financiare për përgatitjen e dokumentacionit, kyçjen në
rrjetin e ujësjellësit, ujërave të zeza, ndriçimin publik dhe për punë të tjera infrastrukturore.