Rajon - Botë

Vuçiq: Pata takim të vështirë me pesëshen diplomatike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pati një takim “të vështirë” me pesë diplomatëve perëndimorë të shtunën në Beograd.

“Besoj se në periudhën e ardhshme ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, tha Vuçiq në një shkrim në rrjetin social Instagram, pas takimit.

Diplomatët perëndimorë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, shkuan në Beograd pasditen e të shtunës, pas një vizite në Prishtinë më herët gjatë ditës, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Para takimit, Vuçiqi kishte thënë se “pesë të mëdhenjtë, të fortët, më të fortët” erdhën në Beograd dhe se kjo nënkuptonte se “sot do të jetë ndoshta një nga ditët më të vështira për Serbinë” dhe për të personalisht, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

“Mund ta marr me mend me çfarë vijnë në Beograd ata. Nuk fle natën për shkak të kësaj. Pa fajin tonë, ne do të gjejmë një mënyrë dhe do të arrijmë ta shpëtojmë Serbinë dhe mos t’ia japim atë si dhuratë askujt. Një gjë e garantoj, nuk do ta mbroj veten, por do të luftoj dhe do ta mbroj Serbinë, pavarësisht sa shumë dhe sa të fortë janë ata [diplomatët]”, tha Vuçiq në 15-vjetorin e themelimit të Partisë Progresive Serbe. (SNS).

Lajçak, i cili i priu pesëshes diplomatike në Prishtinë, tha se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Në lidhje me dialogun, Lajçak theksoi se në Kosovën dhe Serbi erdhi me një plan.

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.