Vuçiç refuzon sërish BE-në për njohjen e Kosovës
Ursula Von der Leyen në Beograd paraqet kushtet
Në krah të shefes së KE Ursula Von Der Leyen presidenti Vuçiç refuzoi publikisht edhe një herë kërkesën për njohjen de facto të Kosovës sepse sipas tij është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Serbia i di detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjen e Ohrit. Për Serbinë është e qartë se çfarë nuk mund të bëjë në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe për këtë ne i kemi njoftuar të gjithë partnerët tanë, jo një here, por shumë herë. Ne presim që edhe të tjerët t’i përmbushin detyrimet e tyre që është dashur t’i përmbushin 11 vite më parë për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Kam frikë se nuk do ta shohim atë së shpejti, sepse i njoh mirë truket ballkanike. Sigurisht, përfundimi është se ne duhet që të bëjmë më shumë lëshime. Nuk ka gjëra të lehta dhe të bukura për ne. Por ne duhet të vazhdojmë, vendi duhet të zhvillohet, duke mbrojtur interesat tona jetike.”
Von der Leyen përsëriti kushtet për të dyja palët.
“Duhet që Serbia dhe Kosova të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit. Ajo parasheh hapa konkretë që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve kosovare nga Serbia. Ky hap shkon paralelisht me themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe një detyrim ky që duhet të përmbushet nga Kosova. Kjo do të hapte rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, një parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane të të dy shteteve.”
Shefja e KE dënoi nga Beogradi aktin e dhunshëm sipas saj të ndodhur në Banjskë më 24 Shtator duke i kërkuar Serbisë që të bashkëpunojë në ndëshkimin e autorëve.
Klan News