Vrasjet në Shkup, LSDM kërkon dorëheqjen e Toshkovskit
E pas të shtënave të mbrëmshme në Çento, dhe vrasjes së sotme tek Mavrovasja, opozitarja LSDM ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, duke e quajtur të paaftë, përcjell TV21. Qytetarët janë të shqetësuar dhe ndihen të pasigurt, thuhet në reagimin e LSDM-së, nga ku shtojnë se larje të këtilla hesapesh bëhen të përditshme sepse MPB-ja dhe Toshkovski nuk arrijnë të gjejnë autorët dhe të zbardhin rastet. “Për rikujtim, gjatë mandatit të Toshkovskit ka pasur tri vrasje dhe tri tentativa për vrasje, ndërsa vetëm për një rast ka pasur zgjidhje. Paaftësia e qeverisë së Mickoskit e ktheu Maqedoninë në Perëndim të Egër. Bandat kriminale bëjnë kërdinë, kriminelët po arratisen nga burgjet që janë si “Hotel Promaja” dhe qytetarët kanë frikë për sigurinë e tyre”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.