May 4, 2024
Maqedoni

VMRO: Qytetarët do të përballen me mungesë të druve për ngrohje

VMRO-DPMNE-ja thotë se këtë sezon të ngrohjes qytetarët do të përballen me mungesë të madhe të drurit për ngrohje. Ndërsa këtë thotë se e bazon në të dhënat zyrtare të raportit të punës së Ndërmarrjes së Pyjeve. Opozita maqedonase thotë se na pret dimër i rëndë pasi që është ulur prodhimi dhe furnizimi me dru për ngrohje. VMRO-ja akuzon pushtetin, përkatësisht ministrin e Bujqësisë Nikollovski dhe kryeministrin Kovaçevski për politikat e gabuara dhe për siç thekson paaftësinë për të siguruar dru për ngrohje.

“Për vetëm 7 muaj këtë vit është ulur në mënyrë drastike prodhimi dhe furnizimi i vendbanimeve me dru për ngrohje. Përkatësisht krahasuar me vitin e kaluar ulja është për 30.765 metra kub, ndërsa ulje ka edhe në shitjen e drurit për ngrohje për 42.528 metra kub. Në depot e Pyjeve të Maqedonisë ka vetëm 26.925 metra kub dru. Raporti tregon se pjesa tjetër është blerë nga shitësit privat dhe kompanitë që fitojnë tenderë nga ndërmarrja publike dhe i shesin me çmim dyfish më të lartë. Nëse çmimi në Pyjet e Maqedonisë për metër kub është 2500 denarë, në depot private çmimi lëviz nga 5 deri në 6 mijë denarë për metër kub, përkatësisht dyfish më shumë”, deklaroi Cvetan Tripunovski, VMRO-DPMNE.