VMRO: Qeveria kalimtare nuk do të thotë amnistimin e krimit të LSDM-BDI
Kovaçevski sot duhet të dorëhiqet, BDI-ja është jashtë pushtetit, kurse VMRO-ja ofron plan konkret për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe dalje nga qorrsokaku eurointegrues. Kështu thonë nga VMRO-DPMNE-ja në vigjilje të mbledhjes së kryesisë së ngushtë të LSDM-së të caktuar për sot në mesditë.
“Doli në dritë se gjatë gjithë kohës kanë gënjyer opinionin e vendit dhe atë ndërkombëtar se kanë shumicën prej 2/3 për ndryshime kushtetuese. Fatkeqësisht viktimat më të mëdha të politikës së tyre janë Maqedonia dhe populli”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare maqedonase.
VMRPO propozon të kërkohen garanca nga institucionet evropiane për gjuhën dhe identitetin maqedonas, të kërkohet pako financiare për mbështetje të ekonomisë maqedonase, kurse ndryshimet kushtetuese do të hynin në fuqi para hyrjes në BE, kurse Bullgaria të zbatojë tre nga shumë aktvendimet e Gjykatës së Strazburgut.
“VMRO vlerëson se një nga momentet kyçe për relaksimin e marrëdhënieve në shoqërinë maqedonase është mbajtja e zgjedhjeve këtë vjeshtë, për çka janë propozuar tre data. Qeveria kalimtare deri në zgjedhje të jetë pa BDI-në. Qeveria kalimtare nuk do të thotë amnistimin e krimit të LSDM-BDI”, thonë nga VMRO-ja.