September 16, 2024
Maqedoni

VMRO: Qeveria, detyrim për penalitete 300 mln euro

Gazetar: Mefail Ismaili

Qeveria do t’i paguaj rreth 310 milionë euro penalitete konzorciumit Bechtel-Enka ende pa lëvizur asnjë lopatë ose pa vendosur një gozhdë. Kështu deklaruan nga VMRO DPMNE, në takim me gazetarët ku prezantuan një pjesë të Kontratës mes Qeverisë dhe Konzorciumit, të cilën thonë se e kanë pranuar nga informatorët.

Siç shpjegojnë nga partia e Hristijan Mickovskit, Qeveria ka marrë për obligim që në 45 ditët e para prej kur është nënshkruar marrëveshja më 8 mars, të paguaj 50 milion euro paradhënie. Vetëm pse në 45 ditët e para të marrëveshjes, deri më 22 prill, nuk u miratuan ndryshimet e Ligjit për Marrëdhënie pune që java e punës nga 40 orë të bëhet 60 orë, Qeveria duhet ti paguaj konzorciumit gjobë të njëfishtë prej 53 milionë euro Por nuk përfundon gjithçka këtu, pasi, siç shpjegojnë nga VMRO-DPMNE, Qeveria në kontratë ka marr obligim edhe gjobën që për mosmiratimin e ndryshimeve të ligjit për marrëdhënie pune, Qeveria çdo muaj të paguaj gjobë prej 1.265.000 euro dhe atë deri në përfundimin e projektit. Dhe nga 900 mijë euro të tjera shtesë në muaj, deri në momentin kur të sillen ndryshimet që java e punës të jetë 60 orë.

Sipas VMRO-së, kontrata parashikon edhe implikime të tjera financiare në vlerën prej 117 milionë euro, të cilat shteti duhet t’ia paguaj “Bechtel dhe Enkas” si paradhënie për përgatitjen e punëtorive të ndërtimit. 87 milionë eurot e para Qeveria është dashur ti paguaj brenda dy javëve të para pas nënshkrimit të kontratës, respektivisht deri më 22 mars, ndërsa 30 milionë euro të mbetura duhet të paguhen 45 ditë pas nënshkrimit të kontratës, afate të cilat praktikisht kanë përfunduar. Në kontratë ka një pikë edhe për modifikim të projektit për 3 milionë euro.

Siç thonë nga VMRO-DPMNE, vlera e përgjithshme e projektit të ndërtimit të korridorit 8 dhe 10D do të jetë shumë më e madhe se 1,3 miliardë euro. Kjo për shkak se në kontratë për shumë punime thelbësore të projektit janë vendosur pa çmimin e parashikuar si ndriçimet e autostradës, ndriçimet dhe ventilimet e tuneleve e të tjera. Për këtë arsye nga opozita maqedonase thonë se pasi kanë analizuar kontratën, vlerësojnë se korridoret Qeverisë mund ti kushtojnë deri në 2,3 miliardë.

Nga VMRO-DPMNE thonë se në Kontratën e Qeverisë me “Bechtel- Enka” shihen qartë edhe çmimet e larta për punime. Kjo për shkak se në shkurt, Qeveria ka nënshkruar kontratë për ndërtim të autostradës Shkup-Bllacë me kompani vendore e cila për një metër kub gërmim sipërfaqësor do të paguhet 2,33 euro për metër kub, ndërsa në kontratën e nënshkruar në Mars me Bechtel dhe Enka”, për të njëjtën punë paguan 5,36 euro për metër kub.

Sipas VMRO-DPMNE-së në Kontrata me konzorciumin nuk përmban asnjë paragraf në të cilin thuhet se përmban informacione të kualifikuara ose sekrete. Ndërsa në raste të mosplotësimit të kontratës dhe nevojës për arbitrazhe, kontrata e anashkalon drejtësinë e vendit tonë dhe arbitrazhi do i bëhet në Paris sipas ligjeve të Anglisë dhe Uellsit. /Alsat.mk