May 3, 2024
Maqedoni

Vjosa Osmani “ngacmon” qeverinë e Maqedonisë: Sa më shpejt të finalizohen 12 kilometrat Shkup-Bllacë!

E ardhmja e përbashkët e vendeve është në familjen euroatlantike, tha presidenti, Stevo Pendarovski, i cili priti presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Të dy presidentët theksuan se vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe komunikim të nivelit të lartë, si dhe një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Pendarovski dhe Osmani biseduan gjithashtu për të drejtat e komuniteteve në të dyja vendet.

“Në takimin me presidentin e Kosovës biseduam edhe mbi mundësitë për avancimin e të drejtave të maqedonasve në Kosovë, në një kohë kur, për fat të keq, janë riaktivizuar disa propaganda të huaja. Në këtë drejtim, qëllimi ynë i përbashkët është të bashkojmë qytetarët në të dy anët e kufirit dhe të lehtësojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ndërkufitar”, tha Stevo Pendarovski – President i RMV.

„Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë forcë e rëndësishme shtytëse drejt ndryshimeve pozitive si dhe në arritjen e aspiratave euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Është me rëndësi që të vazhdohet përkrahja dhe fuqizimi I shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha sferat e shoqërisë si qytetarë të barabartë dhe kontribues kyç në avancimin e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Kosovës.

Temë diskutimi ishin edhe çështjet ekonomike. Pendarovski tha se shkëmbimi tregtarë me Kosovën vitin e kaluar arriti në 482 milion euro dhe se trendi i rritjes duhet të vazhdojë. Nga ana tjetër, Osmani tha se ka potencial për zhvillim më të madh, veçanërisht pasi Maqedonia dhe Kosova nuk janë vetëm gjeografikisht të afërta, por janë edhe vende që kanë të njëjtin vizion.

„Shpresojmë që sa më parë të shohim edhe finalizimin e autostradës prej 12km që lidh Shkupin me pikën kufitare me Republikën e Kosovës. Kjo rrugë do të na afrojë dhe më shumë dhe do të na krijojë mundësi edhe më të mëdha për shkëmbime të shumanshme përfshirë në ekonomi. Njësoj shpresoj të ndodhë edhe me krijimin e pikave të përbashkëta kufitare në dy pikëkalimet kryesore dhe tani më kemi lajme të mira në këtë drejtim.”, tha Osmani-Sadriu.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe nesër do të qëndrojë në vend dhe do të marrë pjesë në disa aktivitete në Shkup dhe Tetovë. /Alsat.mk