VMRO: Kovaçevski të deklarohet për opsionet, Qeveri pa BDI-në ose zgjedhje në shtator
VMRO-DPMNE-ja këmbëngul që lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski të vendos mes dy opsioneve: Qeveri pa BDI-në apo zgjedhje të parakohshme. Sipas opozitës, Kovaçevski po manipulon opinionin kur thotë se VMRO-DPMNE-ja ka pranuar ndryshimet kushtetuese.
“Kovaçevski menjëherë të prononcohet dhe të tregojë cili nga propozimet e VMRO-DPMNE-së është i pranueshëm. Propozimi i parë është që hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese të shtyhet deri në momentin kur Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së dhe Qeveri kalimtare pa BDI-në brenda saj, apo propozimi i dytë, zgjedhje në shtator”, deklaroi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
BDI në mbledhjen e fundit të kryesisë ka vendosur që t’i përshtatet të gjitha kërkesave të VMRO-DPMNE-së, përkatësisht Qeveri e zgjeruar pa BDI por me kushtin që sipas tyre bazohet në kornizën negociuese. Partia e Ahmetit është e gatshme të mbështes edhe abrogimin e Qeverisë teknike, por kërkon vetting cilësor duke filluar nga krerët e partive.
“Për shkak se korniza negociuese nuk njeh model tjetër alternativ për të vazhduar me konferencën e dytë ndërqeveritare dhe hapjen e kapitujve përveçse hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Nëse ky është kushti i opozitës, që BDI të mos jetë pjesë e Qeverisë ne jemi të gatshëm që menjëherë të bëjmë një marrëveshje të tillë ose të konfirmojmë një qëndrim të tillë, nëse opozita do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të cilat do të hyjnë në fuqi para formimit të asaj Qeverie ose para mbledhjes së dytë ndërqeveritare”, tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Kryeministri Kovaçevski gjatë takimeve me qytetarët ka deklaruar se mbështetja e ndryshimeve kushtetuese nga VMRO-DPMNE-ja është për t’u përshëndetur. Sipas tij, tani është koha që bashkërisht të sillen vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit.