May 2, 2024
Maqedoni

VMRO-ja kërkon rritjen e pensioneve dhe harmonizimin e pagave, LSDM përgjigjet pozitivisht

VMRO-DPMNE nëpërmjet procedurës kuvendore kërkon rritje të pensioneve për 20% dhe harmonizim të pagave në përputhje me koeficientin e rëndësisë së vendeve të punës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

“VMRO-DPMNE gjatë ditës së djeshme ka parashtruar zgjidhje ligjore për rritjen e pensioneve për 20%. Me këtë vlerësojmë se pranuesve të pensioneve do t’u ndihmohet gjatë krizës, kurse të hyrat e tyre do të jetë në përputhje me shpenzimet për jetë. Në mënyrë shtesë propozojmë edhe harmonizim të pagave me pagën minimale, zgjidhje të cilën e mundësojmë me amendamente për Ligjin për pagë minimale. Me këtë mësimdhënësit në arsimin fillor dhe atë të mesëm do të marrin pagë prej 45 mijë denarë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga VMRO-DPMNE.

Nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) njoftojnë se është duke u përgatitur rritje e madhe e pensioneve dhe pagave.

Kjo siç thonë nga partia e Kovaçevskit, është premtim dhe pjesë e programit qeverisës të kryeministrit dhe liderit të partisë Dimitar Kovaçevski.

“Tashmë siç ka paralajmëruar kryetari Kovaçevski në ekspozenë e tij, hapi i radhës është rritje e madhe e pensioneve. Për momentin punohet në model dhe llogaritje për shumë të saktë e cila do të thotë mbështetje e fuqishme për të moshuarit në kushte të krizës.
Pensionistët janë kategoria që më së shumti janë prekur financiarisht në kohën e pandemisë dhe për këtë Qeveria e udhëhequr nga LSDM do të sigurojë mjete për këta qytetarë”, thuhet në komunikatën për shtyp të LSDM-së.