Maqedoni

VMRO-DPMNE finalizojnë koalicionet, nesër konventa

Pas publikimit të listave për deputet, VMRO-DPMNE dhe partenerët e koalicionit nënshkruan edhe marrëveshjen e koalicionimit strategjik dhe vërtetimin e parimeve për funksionimin e ardhëshëm të Qeverisë e quajtur”Maqedonija yte”, transmeton TVM2.

Ky koalicion është i përbërë prej 24 subjekteve politike dhe organizatave, ndërsa të shtunën në shpalosjen e Konventës zgjedhore do të zyrtarizohen emrat e tyre dhe nësë ato do të kenë ndryshime për shkak të koalicionimeve të fundit.

Edhe pse Koaliconin qeverisës e kanë lëshuar shumë parti, Mickovski nuk pret që Kovaçevski të dorëzohet, edhe pse e kanë të qartë humbjen e thellë.

“Ky është koalicionim final parazgjedhor me të cilin do të dalim në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.Nesër do të jetë Konventa për paraqitjen e kandidatëve për deputet,ju ftoj të vini dhe të merrni përgjigje për pyetjen tuaj. Ne kemi bisedime dhe negociata parimore, marrëveshje të përbashkët parimore për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presim edhe më tutje, në bazë të asaj marrëveshjeje, të funksionojmë si qeveri e ardhshme.” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Emrat e vjetër nuk sjellin sukses, por bllokim

Nga LSDM theksojnë se përbërja e listave të deputetëve të VMRO-DPMNE-së konfirmon se nuk ka asnjë ndryshim, janë po të njejtët persona që bllokojnë rrugën evropiane të vendit.

“Më shumë se 80% e kandidatëve në lista janë të njëjtët deputetë, të cilët kanë bërë bllokada aktive të Kuvendit, kanë bërë pengesa dhe kanë penguar çdo gjë që është në interes të qytetarëve dhe shtetit. Janë të njëjtët persona që në një krizë në Kuvend bllokuan ndihmën për qytetarët dhe kompanitë, të cilët i zhvendosën pikat e rendit të ditës për dy ditë gjatë seancës parlamentare.” – deklaroi Sanella Shkrijel nga LSDM.

Për momentin vetëm Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI në Koalicionim me PDSH-në, partinë “Populli”, Partinë Demokratike Evropiane, Partinë Demokratike të Turqve, Lëvizjen e Turqve të Maqedonisë, Union e Romëve dhe së fundmi edhe koalicionimin me Aleancën për shqiptarët krahu i Ziadin Selës akoma nuk i kanë publikuar listat për deputet.