VMRO dhe E Majta paralajmërojnë koalicion, LSDM ironizon
“Ne negociojmë në parim, jemi pragmatikë. Jemi idealistë deri në një kufi dhe pragmatizmi për ne nuk është I huaj”. Kështu ka thënë kryetari i Të majtës, Dimitar Apasiev I pyetur për mundësinë e të qënit në koalicion qeveritar me VMRO DPMNE pas zgjedhjev. Apasiev, në një intervistë për “A1on”, thotë se partia që ai drejton është e gatshme të negociojë me VMRO DPMNE-në për formimin e qeverisë së përbashkët pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
DIMITAR APASIEV
“Do të shohim kushtet. Ne jemi duke negociuar në parim, as herën e parë dhe as të fundit. Ju thashë, ne jemi pragmatikë, jemi idealistë deri në një kufi dhe pragmatizmi nuk është i huaj për ne, e treguam kur u ulëm të qortojmë qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së. Aty kishte parti të djathta. Pra, ne jemi lojtarë të ndërlikuar dhe pas zgjedhjeve të gjitha opsionet janë të hapura”.
Ai ka theksuar se E majta ka parime që nëse VMRO DPMNE nuk i pranon, nuk do të ketë bashkëpunim.
Po ashtu edhe VMRO-DPMNE nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me Të majtën. Mickoski ka thënë se në politikë nuk thuhet kurrë.
Edhe zëdhënësja e VMRO-së, Marija Miteva ka thënë se do të bëjmë koalicion me Apasievin. Ajo ka theksuar se nuk janë të interesuar për rrugën e integrimit europian të vendit por që të shohin mundësinë e koalicionit me të majtën dhe Apasievin.
Ndërkaq, deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski tha se Mickoski t I ranë të gjitha maskat dhe pranoi dëshirën për koalicion me të Majtën. “Në mëngjes DPMNE dërgon deklaratë kundër të Majtës, ndërsa pasdite Mickoski flet për koalicion me parti anti-BE dhe anti-NATO”, tha Kaevski.
DARKO KAEVSKI, LSDM
“Të gjitha njoftimet e DPMNE-së janë të kota, deklarata e Mickoskit i fundosi të gjitha. Pyetjet për cilat vlera është përgatitur Mickoski për marrëveshjen me të Majtën mbetën pa përgjigje. A janë këto vlerat e së Majtës kundër NATO-s apo kundër BE-së? Apo Mickoski do të negociojë vlerat e diktatorit Enver Hoxha në tavolinë me të Majtën? A do të shkojë Mickoski vitin e ardhshëm t’i përulet diktatorit Enver Hoxha siç bëri Apasiev? Radikalisht i dashuruar me regjimin e Majtë është njësoj si DPMNE, ata janë si tenxherja me kapakun”.
VMRO sërish i bëri thirrje LSDM-së që të inkurajohet për zgjedhje pa qeveri teknike, por edhe pa kryeministër teknik nga radhët e BDI-së. Sipas tyre qeveria teknike në të kaluarën është treguar si jofunksionale. “Në kohën e qeverisjes teknike, përveç institucioneve jofunksionale, qytetarët nuk marrin asgjë tjetër. BDI është struktura më e kriminalizuar në vend. Nuk ka asnjë zyrtar nga ajo parti që të mos jetë i përfshirë në korrupsion”, thuhet në komunikatën e VMRO-së. Sipas tyre në Maqedoni mund të ketë zgjedhje pa qeveri teknike dhe pa kryeministër teknik nga BDI.