May 17, 2024
Maqedoni

VLEN: Pyesim publikisht nëse janë shpenzuar më shumë se 75 milionë euro për kazino dhe lojëra fati në mandatin e Grubit si zv/kryeministër?

Edhe përkundër mohimeve nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut, nga koalicioni opozitar VLEN sërish thonë se ka dyshime që Lotaria Shtetërore ka shpallur tender për blerjen e 2100 VLT aparateve në vlerë të 23 milionë eurove dhe rreth 2000 karrigeve në vlerë të gjysmë milionë eurove. Lidhur me paralajmërimin e Lotarisë Shtetërore për padi, nga VLEN thonë se asnjë formë presioni dhe kërcënimi nuk do të mund t’i pengojë, siç thonë ata, në ekspozimin e të vërtetës.

“Pyesim publikisht nëse tenderët që i përmendëm janë publikë dhe të publikuar më 29.03.2024 dhe procedura do të zgjasë deri më 29.04.2024 me numrin e shpalljes 05983/2024 dhe 05801/2024. E përsërisim, bëhet fjalë për porosinë e 2100 VLT terminaleve për kazinot me vlerë rreth 23 milionë euro, dhe porosinë e 2000 karrigeve për kazinot që duhet të kushtojnë rreth gjysmë milioni euro? Pyesim publikisht, në xhepat e kujt përfundon kjo shumë e madhe parash kur qytetarët luftojnë për të siguruar bukën e gojës?. Pyesim publikisht Artan Grubin dhe BDI Lotarinë nëse janë shpenzuar më shumë se 75 milionë euro për kazino dhe lojëra fati vetëm për mandatin kur Grubi ka qenë zëvendëskryeministër i parë i vendit?”, tha mes tjerash Fari Hiseni, përfaqësues i VLEN.