Maqedoni

VLEN: Organet gjyqësore të veprojnë pa ndikime politike në rastin e nipit të Ali Ahmetit

VLEN ka reaguar pas njoftimit të MPB-së se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti dhe disa personave tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nga VLEN u bëjnë thirrje autoriteteve gjyqësore që të veprojnë vetëm sipas ligjit, të lirohen nga ndikimet politike dhe të japin drejtësi bazuar në provat e paraqitura.

“Ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Kthimi i besimit në sistemin ligjor nuk guxon të shndërrohet në pika të politikës ditore. Nuk na gëzon fakti që një parti politike si BDI-ja lidhet me dyshime të rënda dhe indikacione për raste të shumta të korrupsionit politiko-familjar”.

“Këto rrethana rrënuese i hedhin njollë të gjithë shqiptarëve. Dyshimet e tilla janë një tjetër argument plus se BDI duhet të reformohet sa më shpejt dhe të fillojë të veprojë si një opozitë konstruktive”.

“Është detyrimi ynë si VLEN që të mos lejojmë që kjo kryesi e BDI-së e mbërthyer në të kaluarën të përpiqet t’i bëjë shqiptarët mburojë për skandalet e tyre korruptive”, thonë nga VLEN.