VLEN: LSDM-BDI kanë lejuar spiunimin e zyrtarëve amerikan / Pse Maqedonia nuk e ka shkatërruar këtë Softuer?
Para disa ditësh Ministria e Financave e aleatit tonë kryesor SHBA, sanksionoi firmën maqedonase Cytrox për spiunim me softuerin Predator. Kjo është hera e parë në historinë e SHBA-ve që individë apo kompani sanksionohen për sajber-spiunazh.
Kompania Cytrox është në pronësi të spiunit izraelit Tal Dilian, me drejtor Ivo Malinkovski, i afërt me qarqet qeveritare në Maqedoninë e Veriut. Kjo kompani ka spiunuar zyrtarë amerikanë, gazetarë, ekspertë dhe arkitektë tjerë të politikës amerikane. Nëpër botë ka ndihmuar regjime të ndryshme të shkelin të drejtat elementare të njeriut, duke spiunuar e targetuar çdo disident të tyre.
Qeveritarët e Maqedonisë së Veriut kanë ditur për veprimet e errëta të kësaj kompanie qysh në vitin 2022, ndërsa është vënë në listën e zezë në 2023. Ç‘është më e keqja, në këtë periudhë Maqedonia ka kryesuar me OSBE-në, organizatë që mision parësor e ka sigurinë. Mirëpo, përderisa ministri Bujar Osmani ishte i zënë duke shëtitur e duke u fotografuar nëpër botë, kjo kompani ka spiunuar zyrtarë amerikanë para hundës së qeverisë.
Rikujtojtmë se ky skandal spiunimi është vetëmse i fundit në një varg skandalesh anti-amerikane dhe anti-perëndimore, siç ishin edhe hakimet në zgjedhjet amerikane nga Velesi, zbulimi i folesë çetnike në Ministrinë e Mbrojtjes, takimi i Bujar Osmanit me Lavrovin, paradimet dhe fotografimet me agjentin rus Aleksandër Vuçiq e të tjera.
Të gjitha këto skandale, vetëmse vërtetojnë se Maqedonia nën pushtetin LSDM-BDI është shndërruar në çerdhe anti-amerikane dhe anti-perëndimore. Si anëtare e NATO-s, ajo është bërë kalë Troje, nëpërmjet të cilit, forca të errëta cenojnë sigurinë e partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë.
Pas gjithë këtyre skandaleve parashtrojmë pyetjet:
1) Si është e mundur që nga një anëtar i NATO-s, të spiunohen zyrtarë të lartë amerikanë?
2) Pse Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë asgjë për shkatërrimin e softuerit Predator të firmës Cytrox, edhe pse ka qenë e alarmuar të paktën për dy vjet?
3) A përdoret softueri Predator për spiunim edhe në Maqedoninë e Veriut? A ka vazhduar kjo qeveri me taktikat e Mijallkovit?
4) A ka dhe cila është lidhja mes izraelitit Tal Dalian dhe kompanisë izraelite që punon në fushatën e BDI-së? A është fushata e BDI-së e bazuar kryekëput në spiunime të ndihmuara nga kompani izraelite?