Maqedoni

“VLEN” E TËRHOQI PADINË PAS VENDIMIT TË KSHZ-SË PËR VV 0511

Koalicioni “VLEN” në fillim të seancës publike para Gjykatës Administrative e tërhoqi padinë pas vendimit të KSHZ-së për refuzimin e ankesës së tyre për vendvotimin 0511, në Banjicë të poshtme në Komunën e Gostivarit për zgjedhjet parlamentare 2024.

Gjykata Administrative vendosi që procedura të ndërpritet.

Përfaqësuesi i palës paditëse, Koalicioni “VLEN”, Betim Ameti, në fillim të seancës publike informoi se padinë po e tërhjek në tërësi.

Sipas pretendimeve të paditësit, vëzhguesit nga Koalicioni “VLEN” në VV 0511 në Komunën e Gostivarit mungon procesverbali origjinal nga ky vendvotim dhe se në kuti ka pasur tre nënshkrime më pak se fletët e votimit, pas së cilës KSHZ në seancë publike në mënyrë jo të plotë dhe të gabuar e ka konstatuar gjendjen faktike dhe ankesën e ka refuzuar.

KSHZ në përgjigje të padisë thotë se në seancë publike ka konstatuar gjendjen faktike në detaje dhe se numri i votuesve të identifikuar është identik me numrin e votave dhe propozon që të refuzohet.

Në KSHZ janë dorëzuar 27 kundërshtime për votimin në zgjedhjet parlamentare, nga të cilat shtatë janë pranuar, gjashtë për vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në njësinë e gjashtë zgjedhore.