BallinaMaqedoni

VLEN: 250 milion euro mbështetje për kompanitë

Në Gllumovë të komunës së Sarajit ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi së bashku me zv/Kryeministrin e RMV-së, Arben Fetain- përgjegjës për Qeverisjen e mirë, zv/Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Flakron Bexheti si dhe zv/sekretarin gjeneral, Hasim Murtezani vizituan fabrikën për përpunimin dhe prodhimin produkteve të mishit, “Tiamo”.

Fabrika “Tiamo” është fabrikë e cila që nga viti 1997 përfaqëson një ndër brendet më të njohura lokale dhe kombëtare dhe është një sinonim i cilësisë dhe traditës afatgjate. Duke u njoftuar me punën rrjedhëse të kompanisë, planet për investime të mëtejshme si dhe rritjen e prodhimit dhe planet për zgjerimin e plasmanit të produkteve në vendet e rajonit, përfaqësuesit e qeverisë informuan menaxhmentin në fjalë se me qëllim të mbështetjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, Ministria e Ekonomisë dhe Punës në kuadër të Qeverisë ka shpallur pesë thirrje publike në përputhje me Programin për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për vitin 2024. Për masat në përputhje me këtë Program janë ndarë gjithsej 80.000.000 denarë nga Buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

Gjithashtu, ata diskutuan për thirrjen publike për kompensimin e një pjese të kostove të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për certifikimin e sistemit HALLALL. Sa i përket mbështetjes së biznesit, janë parashikuar 250 milion euro për mbështetjen e kompanive, linjë kreditore të cilat janë siguruar nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Republikën e Hungarisë. Ministria e Financave tashmë po përgatit ligjet për këtë linjë kreditore, ndërsa në mënyrë plotësuese do të përcaktojë kushtet sipas të cilave kompanitë do të mund të aplikojnë për këto mjete financiare.