Vjosa Osmani na bën krenarë, godet Ramën e Thaçin: Perëndoi koha e tregtarëve të kufijve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani goditi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe aleatin e tij në Tiranë, Edi Rama, gjatë fjalimit të fundvitit në Kuvendin e Kosovës.
Shefja e shtetit tha se Kosova “asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar”.
Pasi përmendi takimet e saj me liderë rajonalë, europianë e botërorë, ajo tha se Kosova “më në fund ka politikë të jashtme”.
“Natyrisht që kjo politikë e jashtme, e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale, e shpeshherë të paligjshme po u pengon disave, jo vetëm në Serbi, por edhe jashtë saj. Kosova nuk ka politikë të jashtme, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë të jashtme”, tha Osmani.
Më tej, ajo tha se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”.
“Por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro-individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesava individuale…”, tha Osmani.
Në politikën e jashtme, presidentja tha se ka shumë sfida, pasi “gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha”.