KosovëShqipëri

Vjosa Osmani filloi vizitën në Shqipëri: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde presidente!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni zyrtare në Tiranë nga homologu Bajram Begaj.
Pas ceremonisë në ambientet e Presidencës, Osmani do të takohet me homologun Bajram Begaj, ku do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.
Osmani do të takohet edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeministrin Edi Rama.
Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.
Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen Vjosa Osmani, ka komentuar situatën në veri të Kosovës.
Duke vlerësuar hapat e ndërmarrë nga Kosova për çtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe, Begaj theksoi se askush nuk mund të diskutojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në veri të Kosovës si dhe veprimeve nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet ndërveprim më i ngushtë me partnerët tanë, SHBA dhe BE. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën për të zbatuar Kushtetutën.
Vlerësova hapat e ndërmarra për deeskalimin e situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA është rruga e vetme drejt paqes”.
Begaj shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe angazhimin për të kontribuar në dialogun Kosovë-Serbi. Është i nevojshëm një bashkëpunim mes dy vendeve, tha kreu i shtetit.
Ndërsa presidentja Osmani tha se stabiliteti i plotë në rajon do të ndodhë kur Serbia të njohë sovranitetit dhe integritetin territorial në Kosovës.
“Koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht. Dialogu vijon, stabiliteti i plotë është atëherë kur të njihet sovraniteti i Republikës të Kosovës”.