May 18, 2024
Maqedoni

Vizita e Llavrovit në Shkup dha rezultat: Putini mbështetje më të madhe mori në Maqedoni ndër vendet e Ballkanit!

Nga vendet e rajonit, Presidenti rus, Vladimir Putin, në zgjedhjet e fundit, mbështetje më të madhe ka marrë në Maqedoninë e Veriut – njoftoi Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në rezultatet e komisionit zgjedhor të Rusisë.

Sipas grafikës, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në vend kanë votuar për Putinin.

Me shifër të lartë prej 77.2% Putini ka marrë mbështetje edhe në Bosnjë e Hercegovinë, kurse në Serbi me 10.84% dhe në Mal të Zi – 8.41%.

Kohëve të fundit, në retorikat partiake, gjithnjë e më shumë po përmendet ndikimi rus. BDI paralajmëroi për “skenar rus” qëllimi i të cilit janë trazirat politike pas zgjedhjeve të 8 majit.

Sipas liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ndikimi rus në vendin tonë bëhet përmes partive politike dhe mediave që ndjekin politikat ruse.

“Në vendin tonë ka parti të krijuara nga Aleksandar Dugin, që është koka e politikave ruse. Ka media, televizione dhe kujt nuk i konvenon paqa, stabiliteti dhe siguria në RMV dhe në Ballkan? Sigurisht që Rusia dëshiron të ketë vatra zjarri gjithkund, për ta arsyetuar okupimin që ia ka bërë një shteti sovran”, Ali Ahmeti.

Paralajmërimet për efektet negative nga ndikimi rus në vendin tonë, dolën në sipërfaqe pas formimit të Qeverisë teknike dhe në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e dyfishta në vend.

Autoritete të Qeverisë kanë thënë se kriza energjetike, kriza e çmimeve dhe inflacioni, kanë emër e mbiemër – Rusinë dhe agresioni në Ukrainë. Gjithashtu janë përmendur edhe obstruksionet ndër vite për Korridoret 8 dhe 10D që po bëhen nga Rusia dhe kompanitë ruse. /tvklan.mk

BDI: Skandaloze fitorja e Putinit dhe mbeshtetja ruse në Maqedoninë e Veriut

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh sheh rezultatet e fundit të zgjedhjeve ruse edhe në territoret jashtë Rusisë, thuhet në komunikatën e BDI-së.

“Diktatori Putin, në zgjedhjet ruse të zhvilluara gjithandej, mbështetje më të madhe nga vendet e rajonit ka marrë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Komisionit zgjedhor të Rusisë, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në vendin tonë, kanë votuar për Putinin.

Kjo dëshmon se politika ruse është prezente, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të përpiqet çdo ditë e më shumë të rrezikojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rrënojë çdo të arritur të vendit vitet e fundit”, vijon komunikata e BDI-së.

“Në skenarin rus të Putinit, ka kohë që janë renditur zëshëm parti politike në Maqedoni, ndërsa të njëjtat, së fundmi – po ndihmohen edhe nga opozita shqiptare, e cila për çdo ditë shpif, fyen dhe dezinformon qytetarët se BDI është e keqja e vendit dhe jo VMRO dhe Levica.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk dëshiron të besojë se opozita shqiptare me vetëdije i është bashkangjitur skenarëve ruse, por i apelon të reflektojë dhe të bëjë fushatë demokratike dhe evropiane, duke marrë shembull BDI-në dhe Presidentin në ardhje, Bujar Osmani.

Gjithashtu, sigurojmë qytetarët se, ashtu siç ndodhi me anëtarësimin në NATO dhe udhëheqjen e suksesshme me Misionin e OSBE-së, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë çelësi kryesor edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kështu që, ashtu siç konstatojnë të gjitha sondazhet, më 24 prill dhe më 8 maj, opozita shqiptare e koordinuar tashmë me politikat ruse në Maqedoni, do të marrë goditjen e fundit nga qytetarët, shumica e të cilëve i kanë thënë hapur “PO Europës, JO Rusisë”, mbyllet reagimi i BDI-së.