Vidhet kasa me para në Shkup, policia hyn në Çair dhe Nikishtan, kapet njëri autor!
Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, nëpunës policorë të SPB Shkup kanë zbuluar një grup kriminal i cili më datën 25.07.2023 ka kryer vjedhje të rëndë në rr. “E Llovçenit”, gjatë së cilës është vjedhur një kasafortë, përcjell TV21. MPB njofton se pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve është konstatuar se ata me përdorimin e forcës kanë hyrë në një shtëpi dhe e kanë kryer veprën.
“Pas konsultimit me Prokuror Publik dhe pas marrjes së urdhrit gjyqësor është kryer bastisje në disa lokacione në rajonin e Çairit dhe f. Nikishtan Shkup, gjatë të cilave janë gjetur sende në lidhje me veprën penale të kryer. Në të njëjtën kohë, nga liria është privuar A.M. (24) nga f. Nikishtan, kurse për personat e tjerë të cilët kanë kryer veprën penale janë publikuar urdhrarreste. Pas dokumentimit të plotë të rastit kundër personave në fjalë do të parashtrohet kallëzim në bazë të nenit 236 të Kodit Penal”, theksohet në kumtesën e MPB-së.