(VIDEO) Presidenti Pendarovski e krahason kryeministrin bullgar Petkovin me Nelson Mandelën
Gjatë shënimit të 150 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, krerët shtetërorë dhe politikë kanë bërë nderime mbi varrin e tij në kishën “Sveti Spas” në Shkup. E paevitueshme ishte tema e kontestit me Bullgarinë, duke marrë parasysh se të dy shtetet pretendojnë trashëgiminë e Goce Dellçevit. Presidenti Stevo Pendarovski komentoi qasjen e re të kryeministrit të ri bullgar Kiril Petkov, i cili sipas Pendarovskit flet si Nelson Mandela në krahasim me zyrtarët bullgarë para tij.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Petkov nuk shkon me retorikën e cila deri dje ishte standarde për disa përfaqësues të qeverisë bullgare. Ai në krahasim me paraardhësit në Bullgari është si Nelson Mandella. Më parë për çdo ditë kishim sasi ofendimesh edhe ndaj neve por edhe ndaj shtetit”.
Ndërkohë kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski foli për takimin e tij para ca kohësh me kryeministrin bullgar Kiril Petkov. Bullgarët sipas Mickoskit kërkojnë përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, por nuk janë të gatshëm ta bëjnë të njëjtën gjë për pakicën maqedonase në Bullgari.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Kurrfarë lëshimesh nuk kërkuan nga unë bullgarët. E përmendën atë që e thanë edhe në opinion për ndryshimin e Kushtetutës dhe të përfshihet një pjesë e popullit bullgar, pakicë e pakonsiderueshme në Maqedoni në Kushtetutë. Këtë e kërkuan. Për këtë nuk janë të gatshëm për reciprocitet për një pjesë të konsiderueshme të popullit maqedonas që jeton në atë pjesë tek fqinji ynë lindor. Dhe nuk janë të gatshëm ta heqin fusnotën nënçmuese të gjuhës maqedonase që është e kodifikuar dhe gjuhë më vete dhe e ndryshme nga gjuha bullgare”.
Mickoski paralajmëroi gjithashtu se do të dorëzojë një propozim Deklaratë në Kuvend për të përforcuar themelet për veprën dhe jetën e Goce Dellçevit dhe rrënjët e tij maqedonase. Ai u bëri thirrje të gjitha partive në Parlament që ta mbështesin këtë deklaratë. /SHENJA/