May 15, 2024
Maqedoni

VIDEO| Hristijan Mickoski: Patriotizmi i ri do të thotë të na bashkojë të gjithëve!

Dhe atë që gjuha amtare përfaqëson për ne maqedonasit, po atë përfaqëson edhe gjuha e tyre amtare për komunitetet e tjera që jetojnë në Maqedoninë tonë. Dhe ne nuk mund të kërkojmë respekt nëse nuk ofrojmë respekt. Ajo që duam të respektojnë tek neve maqedonasit, duhet të nënkuptojë ta respektojmë edhe tek komunitetet tjera në Maqedoni, kështu ka deklaruar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në tribunën e organizuar për ditën ndërkombëtare të gjuhës amë me temë “gjuha amë dhe identiteti”, njofton Almakos.

Më tutje Mickoski ka thënë: “Prandaj duhet të mësojmë të dëgjojmë njëri-tjetrin, të respektojmë njëri-tjetrin edhe kur nuk dakordohemi.
Gëzohemi me gjuhën amtare, por edhe pikëllojmë në gjuhën amtare. Dhe më besoni, dhimbja e nënës maqedonase është e njëjtë me dhimbjen e një nëne shqiptare apo turke. Gëzimi i një fëmije rom është i njëjtë me gëzimin e një fëmije nga komuniteti serb, boshnjak apo vlleh. Të gjithë me gjuhën e tyre amtare, por të gjithë me të njëjtën dhimbje, me të njëjtin gëzim, me të njëjtat dëshira dhe nevoja. Dhe prandaj them se Maqedonia është e të gjithë njerëzve! Maqedonia për të gjithë njerëzit thuajeni në të gjitha gjuhët, por kuptimi është prap i njëjti në fund. Maqedonia është për të gjithë njerëzit sepse ky nuk është vetëm një mesazh apo slogan i thjeshtë politik, por thelbi, themeli mbi të cilin duhet ta ndërtojmë bashkimin tonë. Dhe ne nuk duhet të shpikim paradigma të reja, duhet vetëm të ndjekim pulsin e njerëzve, për atë çfarë kanë vërtet nevojë dhe çfarë i shqetëson.

Besoni, nuk ka njeri që është më shumë në terren se unë, pothuajse të gjitha vendbanimet në Maqedoni i kam vizituar disa herë, dhe dua të them – hallet, problemet janë të njëjta për të gjithë. Qoftë në Vrapçishtin i Gostivarit apo Bashino Selo të Velesit. Edhe maqedonasit edhe shqiptarët edhe turqit kanë të njëjtat sfida, të njëjtat plagë, të njëjtat nevoja.
Kur autobusët ikin jashtë vendit, pikëllohen prindërit maqedonas dhe prindërit shqiptarë, turqit dhe të tjerët. Dhe pse erdhëm deri këtu?
Sepse politikanët shihen shumë përmes shenjestrave. Sepse krijimi i konflikteve është bërë detyrë politike e atyre që drejtojnë popullin për të keqpërdorur më lehtë privilegjet që sjell pushteti?…

VMRO-DPMNE-ja nuk do të bjerë në grackat e temave të mëdhaja të fabrikuara që janë mbulesë për të vazhduar me keqpërdorimet. Patriotizmi i ri do të thotë të na bashkojë të gjithëve, të majtë e të djathtë, të krishterë e myslimanë e ateistë, në idenë për një të ardhme të përbashkët. VMRO-DPMNE-ja lëviz me idenë e një Maqedonie të përbashkët për të gjithë njerëzit, ku të gjithë do të respektohen me të gjitha dëshirat, interesat dhe nevojat e tyre“./Almakos