(VIDEO) Avokati italian: Dëmshpërblimi për familjarët e tragjedisë në Tetovë është i turpshëm
Familjarëve të viktimave në tragjedinë në Spitalin Modular të Tetovës u janë ofruar 30 mijë euro dëmshpërblim, me kusht që të mos flasin publikisht. Ky kompensim është mizor dhe ofendues dhe jashtë çdo standardi. Kështu komenton për TV Shenja avokati italian Gabriele Giambrone, i angazhuar nga Ibin Emshiu nga Siniçani i Tetovës, me shtetësi dhe banim në Itali. Përmes përfaqësuesve ligjor, Emshiu kërkon fillimisht drejtësi për humbjen e babait edhe vëllait, por edhe kompensim real sipas standardeve evropiane.
Gabriele Giambrone, avokat
“Ajo që kërkojmë ne është shumë e thjeshtë. Kërkojmë para së gjithash që të arrihet drejtësia. Ne kemi nisur një procedurë për kompensim civil, personat që përfaqësojmë ishin rezidentë të Italisë që nga viti 2010, kështu që ne kemi të drejtë të kërkojmë kompensim sipas ligjit italian. Kemi dëgjuar se për disa viktima janë ofruar kompensim prej 30 mijë eurove, me kusht konfidencialiteti. Nga perspektiva ime ky kompensim është mizor dhe nuk përputhet me asnjë standard evropian. 30 mijë euro është kompensim ofendues për dikë që ka humbur babain dhe vëllain në rrethana të tillë”.
Avokati Giambrone shpjegon se sipas ligjeve italiane, për raste të tilla, ku persona civil humbin jetën në një institucion shtetëror, familjarëve u takon dëmshpërblim prej të paktën 350 mijë eurove.
Gabriele Giambrone, avokat
“Do të nisim një procedurë në Itali. Do të padisim Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të lejojmë që një gjykatës italian të vendos nëse kemi të drejtë për kërkesat tona. Sa për të dhënë një ide për këtë çështje, me ligjet italiane kompensimi në raste të tilla është deri 350 mijë euro, ndoshta edhe më shumë”.
Zyra e avokatit Giambrone ka tentuar të kontaktojë ish kryeministrin Zoran Zaev, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë që nga tetori i vitit të kaluar, por janë injoruar.
Avokati ka dërguar kërkesë edhe për përfshirje në hetim dhe qasje në raportet e ekspertëve gjerman, por gjithmonë ka hasur në derë të mbyllur.
Gabriele Giambrone, avokat
“Deri tash kemi zero asistencë nga Maqedonia e Veriut. Kemi kërkuar të përfshihemi në hetim, por jemi injoruar. Tani kemi kërkuar kopje të raportit të ekspertëve, dhe nuk janë dhënë”.
Ibin Emshiu humbi vëllain 28 vjeçar dhe babain gjatë zjarrit që kaploi qendrën për Covid19 në Spitalin e Tetovës mbrëmjen e 8 shtatorit. Përveç dy familjarëve të tij, edhe 12 persona të tjerë humbën jetën mes flakëve. Maqedonia e Veriut pranoi ndihmën gjermane për hetimin e këtij rasti. Raporti i ekspertëve gjermanë ka përfunduar dhe është dorëzuar në Prokurori, por deri tani prokuroria nuk ka lëvizur mbi gjetjet e raportit./SHENJA/