April 26, 2024
Kosovë

Vetura godet për vdekje gruan 70-vjeçare në Zhabar të Mitrovicës

Një këmbësore ka mbetur e vdekur, pasi e njëjta është goditur nga një veturë sot në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, në fshatin Zhabar.

Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Telegrafin se sonte rreth orës 17:15, në rrugën rajonale Mitrovicë – Zubin Potok, gjegjësisht në fshatin Zhabar të Mitrovicës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një person (këmbësore) ka vdekur.

“Nga hetimet fillestare, në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një automjet me targa vendore dhe një këmbësore. Si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja, 70 vjeçare, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku në Spitalin Rajonal në Mitrovicë”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij, njësiti i hetimeve të trafikut rrugor ka arrestuar të dyshuarin ngasësin e veturës dhe janë duke vazhduar me procedura të mëtejme.