June 26, 2024
Diaspora

Veprimtari shqiptar në Amerikë: Rama e Vuçiqi po përdorin metoda të njëjta kundër opozitës

Foto: Ylber Pilku me bashkëshorten e tij Vjollca Pilku

Veprimtari shqiptar në Nju Jork të Amerikës, Ylber Pilku, reagon lidhur me arrestimin dhe maltretimin e politikanit opozitar serb, Sanduloqviq, i cili në Prekaz kërkoi falje për krimet serbe ndaj shqiptarëve.
Pilku, ndryshe bashkëpunëtor i portalit Lideri.mk nga Nju Jorku, thotë se metodat që po përdor Vuçiqi ndaj opozitës, janë të ngjashme me metodat që po përdor Edi Rama kundër opozitës shqiptare.

“I vetmi dallim është se Rama nuk guxon t’i përdorë metodat që i përdor Vuçiq ndaj Sandulloviqit, sepse opozita në krye me dr. Sali Berishën në Shqipëri është shumë më e fortë se opozita në Serbi. Por mentaliteti i ‘Serbisë së Madhe’ që sot kamuflohet me togfjalëshin ‘Open Ballkan’ vërehet qartë edhe në metodat që aplikon Vuçiqi edhe tek metodat që aplikon Rama”, thekson Pilku.

Ndryshe, politikiani serb, Nikola Sanduloviq, po raportohet se është rrahur në mënyrë brutale nga BIA serbe dhe sipas avokatit serb, Cedomir Stojkovic, Prokuroria e Nishit e ka arsyetuar arrestimin e Sanduloviq duke shkruar në dokumente se ai ka publikuar një video në platformën “X” ku shihet duke vendosur lule tek varresat e Jasharajve. Raportimet në mediat serbe lidhur me këtë ngjarje janë të rralla, ndërkohë që ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se është tepër i shqetësuar për “sulmin dhe maltretimin e liderit opozitar serb Nikola Sanduloviq nga Sherbimi Sekret i Serbisë”.

Lidhur me gjithë këtë ngjarje në të cilën është i përfshirë politikani serb Sanduloviq, në një bisedë ekskluzive për Gazetën Expresss ka folur diplomati amerikan dhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker.Walker për Gazetën Express ka thënë se është i shokuar nga ajo çfarë ka dëgjuar në lajme për politikanin serb Sanduloviq, duke treguar se e ka takuar atë disa herë dhe se si Sanduloviq i ka treguar për dëshirën e tij dhe platformën e partisë që drejton, për të bërë paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çfarë dëgjova në lajme jam i shokuar. E kam takuar z. Sanduloviq disa herë, një herë edhe këtu në Amerikë në shtëpinë time. Ai është kryetar i Partisë Repiblikane të Serbisë, dhe kemi biseduar shpesh për situatën në Serbi dhe në Kosovë. Ai gjithmonë më ka shprehur dëshirën e tij dhe partisë së tij që ka provuar të sjell paqe për situatën, në vend të përkëqësimit të saj, që po shihet se është politikë e Aleksander Vucicit”, ka thënë Walker për Gazetën Express.

Tutje Walker ka thënë se shpreson që presidenti serb, Aleksander Vucic, është duke bërë ndonjë hetim lidhur me atë se çfarë po ndodhë me Sanduloviq, meqë siç shprehet Walker, arrestimi dhe rrahja e kundështarëve politikë ndodhë vetëm në Rusi tek Putini dhe në vende diktatoriale.