Maqedoni

Vendimi për pronarin e “Besa Trans” është për falsifikimin e dokumenteve, jo për shkaqet e aksidentit

Pronari i “Besa Trans” është dënuar me një vit e tetë muaj burg për veprën e falsifikimit të dokumenteve për autobusin, i cili vrau 45 persona në Bullgari në nëntor të 2021. Me gjobë prej 800.000 denarë është dënuar edhe kompania “Besa Trans” si person juridik, si dhe ndalim për marrjen e lejes për transport rrugor në afat prej katër vitesh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Ky rast nuk i referohet shkaqeve të aksidentit, përcaktimi i të cilit është përgjegjësi e autoriteteve hetimore në Bullgari. Krahasimi me aktet për ngjarjet e 27 prillit është krejtësisht i papërshtatshëm, këto janë vepra penale krejtësisht të ndryshme, ndërsa të dënuarit janë proceduar penalisht për “kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, shkruan Vërtetmatësi.

Po analizojmë një postim në Facebook që manipulon opinionin në lidhje me aksidentin tragjik në Bullgari ku një autobus i Besa Trans u përfshi nga flakët dhe humbën jetën 45 shtetas maqedonas.

45 të djegur të gjallë – 20 muaj burg!?
27 Prilli pa të vdekur-300 vjet burg!?
Shkulja e flokëve – 4 vite burg!?, thuhet në postim.

Konkretisht, më 7 mars, Gjykata Penale e Shkupit e ka dënuar me një vit e tetë muaj burgim pronarin dhe menaxherin e kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve për autobusin, me të cilin në nëntor 2021, 45 persona humbën jetën në një aksident tragjik në Bullgari. Ai është dënuar për veprën penale nga neni 378 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 45 të Kodit Penal i cili parasheh dënim nga tre muaj deri në pesë vjet.

Siç njofton “360 Gradë”, në këtë rast si person juridik është akuzuar kompania “Besa Trans”, të cilën edhe Gjykata Themelore Penale Shkup e ka shpallur fajtore për veprën e falsifikimit të dokumenteve dhe ka shqiptuar gjobë prej 800.000 denarë (rreth 13.000 euro), si dhe masën e ndalimit të marrjes së licencës për transport rrugor brenda katër viteve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Ky rast, ndryshe nga sa pretendohet në njoftimin që po analizojmë, nuk ka të bëjë me shkaqet e aksidentit, përcaktimi i të cilit është përgjegjësi e autoriteteve hetimore në Bullgari. Këtë e ka bërë të ditur prokurori Vladimir Milloshevski në një deklaratë për media dhe nga Gjykata Penale e Shkupit.
“Për shkaqet e aksidentit do të duhet të kontaktoni Prokurorinë e cila është përgjegjëse dhe ajo është në Republikën e Bullgarisë, tha prokurori”, raporton “360 gradë”.

Edhe Gjykata Themelore Penale Shkup përmes një komunikate ka treguar se ky rast nuk ka të bëjë me shkaqet e aksidentit.

“Për shkak të shkrimeve të caktuara mediatike që janë publikuar gjatë procedurës gjyqësore, e njoftojmë opinionin se lënda penalo-juridike, sipas aktakuzës së dorëzuar, dhe siç kanë deklaruar në gjykatë prokurori publik dhe mbrojtësi i të pandehurve, i referohet vetëm krimit të specifikuar dhe kjo nuk lidhet me aksidentin e trafikut me autobus që ndodhi në nëntor 2021 në Republikën e Bullgarisë”, njoftoi Gjykata.

Hetimet për aksidentin e autobusit u kryen në Bullgari dhe përgjegjësia iu drejtua shoferit, i cili është mes të vdekurve. Hetuesit bullgarë konstatuan se shoferi humbi kontrollin e autobusit.

Problemi me licencën, siç bën me dije Telma, është zbuluar pas aksidentit, pasi autoritetet kanë inspektuar kompaninë, pas së cilës janë ngritur kallëzime në shtator të vitit 2022.

Subjekti tjetër i lidhur me këtë kompani ka të bëjë me stacionin “Via Komerz”, ku autobusi “Besa Trans” ka pasur kontrollin e fundit, shkruan Telma. Hetimi paraprak i është referuar ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili e ka nënshkruar vendimin për ndalim të përkohshëm të punës në këtë stacion për kontroll teknik, tri ditë pas aksidentit, ndonëse në fund të gushtit, shërbimet kompetente kanë marrë një propozim të tillë.

Pas dy vitesh parahetim, më 1 mars, Prokuroria për Krimin e Organizuar njoftoi se nuk ka konstatuar elementë krimi.

Sa i përket krahasimit me proceset e ngjarjeve të 27 prillit dhe dhunës që u bë ndaj ministres së atëhershme të Mbrojtjes, Radmila Sheçerinska, është krejtësisht e pavend, sepse këto janë krime krejtësisht të ndryshme dhe për të cilat janë paraparë dënime në Kodin Penal dhe gjykatësit caktojnë dënime të tilla, nuk i shpikin dhe as nuk i caktojnë sipas dëshirës.

Për më tepër, dënimi i përgjithshëm me burgim të lartë për ngjarjet e 27 prillit nuk ka të bëjë me faktin nëse ka apo jo të vdekur, por sepse të dënuarit janë ndjekur penalisht për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, sipas nenit 313 të Kodit Penal.

“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues ose sigurisë së Republikës së Maqedonisë shkakton ose kërcënon seriozisht se do të shkaktojë shpërthim, zjarr, përmbytje ose veprim tjetër të rrezikshëm publik ose akt të dhunës, duke krijuar ndjenjën e pasigurisë ose frikës te qytetarëve, do të dënohen me burgim së paku dhjetë vjet”, parashikon ky nen.

Në këtë rast ishin disa të pandehur dhe dënimi i tyre total nuk mund të krahasohet me dënimin e një të pandehuri, në rastin e falsifikimit të dokumentit të udhëtimit nga pronari i “Besa Trans”.

Përkatësisht, për ngjarjet e 27 prillit, gjithsej 16 persona janë dënuar me burgim për kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë, dhe dënimi i tyre total është 188 vjet, jo 300 siç thuhet në postimin që po analizojmë. Këtu duhet theksuar se çështja e njohur në opinion si “Organizatorët e 27 Prillit” është ende në Gjykatën Themelore Penale. Aty akuzohen ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski, si dhe drejtori i atëhershëm i DSK-së, Vladimir Atanasovski. Dhe ata ndiqen penalisht për kërcënime terroriste ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë.

Për lëndën në Gjykatën Themelore Penale Shkup, korrik 2021, është nxjerrë aktgjykim i shkallës së parë, me të cilin Veljanoski, Ristovski dhe Janakieski janë dënuar me nga 6 vjet e 3 muaj burg, ndërsa Atanasovski me nga 6 vjet burg. Mirëpo, Apeli më 3 prill të këtij viti ka njoftuar se ka vendosur ta anulojë këtë aktgjykim dhe ta kthejë rastin në rigjykim.

Sa i përket “sulmuesi i Sheqerinskës”, ai është dënuar për veprën penale “dhunë” për të cilën është paraparë dënim me burg prej 3 deri në 10 vjet.

Pançe Angelov, i cili goditi dhe plagosi ministren e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska gjatë dhunës së përgjakshme në Kuvend më 27 prill është dënuar me katër vjet burgim, vendosi më 12 tetor 2017 Gjykata Themelore Shkup 1.

Gjykatësit mund të japin dënime siç parashikohet në ligje dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë. Ata nuk mund ta shpikin. Dënimet e dhëna në të tri rastet janë të parapara në Kodin Penal.

Nga të gjitha më sipër, mund të konstatojmë se vendimi për pronarin e “Besa Trans” nuk ka të bëjë fare me shkaqet e aksidentit të autobusit, por i referohet veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Me këtë rast është dënuar edhe kompania “Besa Trans” si person juridik, gjegjësisht gjykata ka shqiptuar gjobë prej 800.000 denarë (rreth 13.000 euro), si dhe ndalim për marrjen e licencës për transport rrugor në afat prej katër vitesh nga përfundimi i aktgjykimit. Ky rast, ndryshe nga sa pretendohet në njoftimin që po analizojmë, nuk ka të bëjë me shkaqet e aksidentit, përcaktimi i të cilit është përgjegjësi e autoriteteve hetimore në Bullgari. Kështu ka bërë të ditur prokurori Vladimir Miloshevski në një deklaratë për media edhe nga Gjykata Penale e Shkupit.

Për shkak të gjithë kësaj mund të themi se postimi që po analizojmë është i pasaktë.