Vendimi i Kryeministrit Kurti për heqjen e Dinarit serb nga qarkullimi
Dr. Vlora Obërtinca
Tash sa ditë është temë aktuale heqja e dinarit nga qarkullimi në territorin e Republikës se Kosovës. E drejtë legjitime do të mendonte njeriu, duke qenë që shteti duhet ta shtrijë legjitimitetin e kontrollës financiare brenda integritetit të vet territorial.
Shtrohet pyetja, a ka të drejtë kryeministri Albin Kurti në kërkesën e tij për heqjen e Dinarit serb nga qarkullimi dhe aplikimin e Euros si valutë të vetme në tregun financiar të Kosovës ?
Një Bankë Qëndrore e një shteti është shtylla e tretë shtetërore pas Kryetarit dhe Kryeministrit, që mbikqyrë dhe rregullon tërë tregun financiar brenda shtetit, duke përfshirë edhe politikën monetare ku menaxhohet tregu i parasë. Por, a e shtrin autoritetin e vet Banka Qëndrore e Kosovës në veri të Kosovës që nga viti 1999 ? Sigurisht që JO.
Ne vitin 2007 Banka Qendrore e Kosovës nën udhëheqjen e Unmik-ut i kishte dhënë licencën “Komercialna Banka” të Serbisë për të operuar në veri të Mitrovicës dhe enklavat e tjera serbe, ndonëse, nuk kishte qasje e as autoritet mbikeqyrës që nga themelimi e deri në mbyllje të kësaj banke në fund të Janarit 2024 ! Athua është në dijeni BE-ja me emisarët e vet ndërmjetësues për këtë cështje ? A do ta kishte lejuar Banka Qendrore serbe në Beograd apo edhe Banka Qendrore Evropiane një bankë të huaj të vepron në selinë e saj në Frankfurt për 16 vite radhas, pa e mbikqyrur dhe pa pasur casje asnjeherë si në rastin e Kosovës ? Këto quhen standard të dyfishta që pengojnë Kosovën për anëtarësim në BE. Përderisa emisarët e BE-së shkojnë e vijnë, në vend se ta miratojnë heqjen e Dinarit nga qarkullimi si vendim legjitim i BQK-së, tani ata ftojnë qeveritarët tanë padrejtësisht për të diskutuar këtë temë në Bruksel.
Nuk njoh Kryeministër në botë që do të lejonte anarki financiare brenda shtetit të vet, sic kanë lejuar kryeministrat kosovare që nga viti 1999 deri te kryeministri Kurti. Andaj, a ka te drejtë Kryeministri Kurti në kërkesën e tij për shtrirjen e legjitimitetit financiar brenda territorit të shtetit të tij ? Absolutisht PO .
Kur Banka Qëndrore e një shteti nuk ka kontrollë mbi qarkullimin e një valute të dytë në tregun e vet financiar, situata mund të jetë e komplikuar dhe të sjellë shumë sfida dhe pasoja si:
Mungesa e Kontrollit të Politikës Monetare me ç’rast Banka Qendrore mund të ketë vështirësi në menaxhimin e politikës monetare në mënyrë efektive. Kur një valutë e huaj në këtë rast Dinari serb qarkullon lirishëm në tregun financiar të Kosovës, Banka Qendrore humbë kontrollin mbi faktorët që ndikojnë në kursin e këmbimit dhe në nivelin e furnizimit të valutës zyrtare në këtë rast Euro. Sasia e parasë në qarkullim nuk ka kontrollë, andaj fenomenet negative si inflacioni, deflacioni apo edhe krimet financiare mund të jenë të pranishme. Përvec, kësaj emetimi i letrave me vlerë nuk arrin deri në veri të Kosovës, që në mënyrë indirekte ndikon negativisht në të hyrat buxhetore shtetërore dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas kësaj logjike të hyrat buxhetore nga tregu financiar, doganat dhe ATK-ja duhet të shpërndahen nëpër komunat e veriut dhe enklavat serbe por, kur vije puna që ato të kontribuojnë në mbushje të buxhetit shtetëror, ato mund të shmangen dhe lirisht ta shkelin ligjin madje me dijeni të Brukselit zyrtarë. Mos të harrojmë se BE-ja ka asistuar vazhdimisht që nga viti 1999 në implementin e standardeve financiare konform ligjit dhe rregullave të saj, duke i mbeshtetë edhe sot e kësaj dite institucionet financiare të Kosovës për mbretërim të ligjit, si standard i pashmangëshëm për anëtarësim të Kosovës në BE. Kjo për Kosovën dhe BE-në do të thotë ‘ sillu e biri vetit “!
Papërshtatshmëria e Kushteve të Financimit me ç’rast një valutë e huaj qarkullon lirisht, pa rregullat ligjore të tregut financiar të shtetit ku vepron, në këtë rast Kosovës, mund të ketë ndikim negativ në kushtet e financimit të shtetit. Nëse shumica e transaksioneve zhvillohen në një valutë të huaj, ku shteti nuk ka qasje, shteti mund të jetë i ekspozuar ndaj riskut të lartë valutor, duke e bërë më të vështirë për të financuar borxhin dhe për të menaxhuar kushtet e tij financiare.
Ndikim Negativ në Kursin e Këmbimit dhe në Stabilitetin Ekonomik, me ç’rast një valutë e huaj ka një ndikim të madh në tregun financiar të shtetit, kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri në kursin e këmbimit dhe të shkaktojë turbulencë në ekonominë vendase. Kur kursi i këmbimit është i paqëndrueshëm, mund të ketë pasoja negative për stabilitetin makroekonomik dhe për fuqinë blerëse të qytetarëve dhe bizneseve.
Rreziku i Arbitrazhit me ç’rast mund të ketë dallime në vlerën e dy valutave brenda një shteti, atëherë ka rrezik që individët dhe kompanitë të përfitojnë nga ky dallim duke bërë arbitrazh dhe shfrytëzim të sistemit anarkik financiar.
Vështirësi në Planifikimin dhe Stabilitetin Makroekonomik me ç’rast ka dy valuta të përdorura brenda një shteti, dhe është shumë e vështirë për autoritetet ekonomike të planifikojnë dhe të sigurojnë stabilitet në nivelin makroekonomik. Si pasojë e kësaj Kosova nuk ka mundur ende të realizon Rejtingun Kreditor nga kompanitë me renome botërore sic është “Standards and poor”, si pasojë e së cilës vështirë se do ta kthen kokën kah Kosova ndonjë investor serioz. Investitorët ndërkombëtarë zakonisht shmangin vendet me rrezik të lartë ekonomik, duke krijuar një spiralë negative për zhvillimin ekonomik të atij vendi.
Rreziku i Kontrollit të Kapitalit me ç’rast, në rrethana kur një valutë e huaj qarkullon lirisht dhe pa asnjë kontroll nga shteti ku vepron, ka rrezik që kapitali të lëvizë lirshëm në dhe jashtë shtetit në reagim ndaj ndryshimeve në politikën monetare dhe fiskale. Kjo lloj lëvizjeje e lirë e kapitalit pa asnjë kontrollë nga rregullatori financiar dhe fiskal vendor, ai i BQK-së dhe ATK-së, mund të shkaktojë turbulencë dhe të çojë në humbje të kontrollit të shtetit mbi politikat ekonomike të tij.
Mungesa e besueshmërisë në Sistemin Financiar me ç’rast ekziston instabiliteti ekonomik dhe kursi i këmbimit është i paqëndrueshëm, besueshmëria në sistemin financiar të shtetit mund të preket. Kjo mund të shkaktojë një krizë besimi, duke çuar në tërheqje të depozitave bankare dhe zvogëlimin e aktivitetit financiar brenda vendit.
Humbja e Kontrollit Tatimor me ç’rast një valutë e dytë përdoret në tregun e brendshëm dhe Administrata tatimore nuk ka qasje në të, humbet kontrolli mbi transaksionet dhe të ardhurat e tyre nga taksat dhe tarifat. Kjo mund të zvogëlojë burimet e nevojshme të financimit për qeverinë dhe mund të shkaktojë vështirësi në mbajtjen e financave publike në balancë.
Rritja e Ekonomisë Informale me ç’rast, për shkak të mungesës së tatimeve dhe kontrollit tatimor mbi transaksionet në valutën e dytë, mund të rritet ekonomia informale dhe evazioni fiskal. Bizneset dhe indivdët mund të preferojnë të kryejnë transaksione në këtë valutë për të shmangur tatimet dhe tarifat e aplikuara në valutën zyrtare.
Rritja e Riskut dhe Pasigurisë Financiare me ç’rast, mosfunksionimi i kontrollit tatimor mbi një valutë të dytë mund të krijojë një mjedis më të rrezikshëm dhe të pasigurt për investitorët dhe bizneset. Rritja e rreziqeve financiare mund të ndeshë në zvogëlimin e investimeve dhe rritjen e kostos së kapitalit për të gjithë aktorët në ekonominë e shtetit.
Ndikim negativ në zhvillimin ekonomik me ç’rast, përdorimi i një valute të dytë pa kontroll tatimor mund të shkaktojë mosfunksionimin e disa sektorëve të ekonomisë, duke shkaktuar humbje të të ardhurave për shtetin dhe ndikim negativ në rritjen ekonomike. Kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më tej nëse ekonomia informale rritet dhe zë një pjesë të madhe të aktivitetit ekonomik.
Nga analiza e më sipërme shtrohet pyetja, se sa ka humbur buxheti qeveritar i Kosovës për 23 vitet e fundit duke mos pasur kontrollë financiar në pjesën veriore të Mitrovicës ? Vetëm mund të shpekulojmë pa asnjë të dhënë zyrtare dhe kredibile nga institucionet shtetërore financiare të Kosovës. E dhimbshme por, e vërtetë!
Kjo është Kosova jonë e dashur në shërbim të demokracisë ndaj të drejtave të minoriteteve, të drejta këto që nuk i gjen askund në rruzullin tokësor sepse, këtu nuk kemi të bëjmë me të drejta njerëzore por, me shkeljen e ligjeve ndërkombëtare financiare dhe ekonomike që janë të parashikuara me Konventa ndërkombëtare. Si mund të rri BE-ja indiferente ndaj fenomenit të tillë negativ bashkë me emisarët e vet Lajcak dhe Borell, kur Banka Qendrore Evropiane i parasheh saktë se si duhet funksionojë një treg i rregullt financiar. Kjo më nuk është politike por, kryekput ekonomike dhe financiare. Si mund të anëtarësohet Kosova në institucionet financiare të BE-së, kur nuk ka kontrollë të plotë mbi tregun e vet financiar dhe BE-ja i mbyllë sytë dhe njëkohësisht kërkon përmbushjen e standardeve për anëtarësim. Kjo i bie ” hip se të vrava, zbrit se të vrava “!
Andaj, për të adresuar gjithë këto sfida të dhimbshme financiare dhe ekonomike, Kryeministri Kurti ka të drejtë të plotë dhe legjitime që të veprojë në interes të rujatjes së stabilitetit financiar dhe ekonomik të vendit, pas 23 viteve të pas luftës, duke urdhëruar ndalimin e përdorimit të Dinarit serb në territorin e Republikës së Kosovës.
Shkruan : Dr.sci.Ms. Vlora Obërtinca – Eksperte e tregjeve financiare dhe Doktor shkence në Lidership. Autorja ka studiuar dhe është specializuar në Vjenë, dhe ka qenë pesë herë drejtoreshë në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo harton reformat ekonomike qeveritare si eksperte e pavarur.